
Kryeministri Edi Rama kritikoi kryebashkiakun e Vlorës, Ermal Dredha, për ndërtimet pa leje në bashkinë që drejton.
Nga takimi me kryetarët e bashkive që po mbahet në Durrës, Rama tha se ndërtimet janë bërë ‘mbi kokën e Dredhës’ dhe është e pamundur që ky i fundit të mos ketë dijeni. AI shtoi se si pasojë e kantierëve të ndërtimit në breget, ku dheu përfundon në det, ‘Joni është bërë llum si Lana’.
“Në majën e Pilurit, që duhet zemër të ngjitesh, atje e gjetën njërin duke ndërtuar. Poshtë në breg ku ndërtohen resortet, merret dheu nga kantieri dhe bëhet deti sikur është lumi i Lanës.
Nuk kemi 4000 metra bregdet që të kemi luksin që të ndërtohet dhe të abuzohet më shumë se në të shkuarën. Nëse angazhojmë arkitektët më të mirë dhe angazhojmë strukturat më të mira në çdo bashki, mund të bëhet një punë shumë e mirë.
Ishte atje ndërtesa 500 metra në shkëmb, mbi kokën e Ermal Dredhës, kjo nuk është e mundur të mos ketë informacion. Kontrolli mbi territorin, pastërtia, respekti mbi lejen e ndërtimit, pamundësia për të ndërtuar pa leje duhet të jenë pjesë e punës së përditshme të policisë, të bashkisë. Nëse një kryetar bashkie do të dijë se çfarë ndërtohet, e mëson menjëherë“, tha Rama.
Top Channel