
Orët e para të mëngjesit të sotëm restoranti me leje “Villa Gjecaj” në Theth, në pronësi të Petrit dhe Aida Gjecajt u shkrumbua nga flakët.
Dëmet materiale ishin të shumta, por për fat të mirë nuk pati njerëz të lënduar.
Në një deklaratë për mediat Aida Gjecaj u shpreh se ekspertët paraprakisht kanë përjashtuar si shkak një shkëndijë elektrike, por shtoi se nuk ka asnjë dyshim për zjarrvënie të qëllimshme pasi nuk kanë konflikt me askënd.
Çifti Gjecaj ndërkohë janë të njohur edhe për publikun, pasi Petrit Gjecaj është oficer policie pranë Byrosë Kombëtare të Hetimit, ndërkohë që bashkëshortja e tij, Aida, ka qenë e ftuar më herët në podcastin me kryeministrin Edi Rama, transmetuar në rrjetet sociale të kreut të qeverisë. Po ashtu ajo njihej edhe si një aktiviste kundër ndërtimeve pa leje.
Djegia e restorantit përkon në një situatë ‘të nxëhtë’ në Theth pasi prej ditësh kanë nisur aksionet për shembjen e godinave pa leje.
Në lidhje me këtë, ajo e konsideron vetëm një rastësi të keqe.
“Ekspertët thonë se energjia nuk ishte shuar fare, edhe pse godina ishte në flakë, gjë që përjashton shkëndijën elektrike. Unë nuk kam dyshime, nuk kam askujt borxh, s’kam pas as kërcënim as gjë, dhe nuk di pse ka ardhur.
Unë jam një bujtinë me 5 dhoma, pasi s’kam dashur të ndërtoj asgjë pa leje, por s’di kujt t’ja vë gishtin. Koncidenca me aksionin në Theth është e keqe, sepse unë nuk kam procedim për prishje, pasi nuk kam ndërtime ose objekte pa leje.
Kam zgjedhur të punoj me restorantin dhe 5 dhoma, duke pritur dhe përcjellë sa të kemi mundësi për t’u ofruar një shërbim maksimal turistëve dhe emrit të Thethit”, tha ajo.
Mbetet në dorën e autoriteteve të drejtësisë për përcaktimin e shkaqeve të zjarrit.
Top Channel