Sherr masiv në Librazhd, përplasen me grushte dhe sende të forta 4 vëllezër me 5 persona të tjerë, kamerierja e lokalit…

10/07/2025 14:07

Një sherr masiv ka ndodhur në fshatin Dragostunjë të Librazhdit këtë të enjte.

Vihen në pranga 2 nga vëllezërit dhe punohet për kapjen e 2 të tjerëve, pasi në ambientet e një lokali, për motive të dobëta, goditën me grushte dhe me sende të forta, 5 shtetas.

Procedohet penalisht kamerierja e lokalit, pasi dyshohet se ka prishur provat në vendngjarje.

Sipas policisë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, dje, pas njoftimit për një konflikt ndërmjet disa shtetasve, në fshatin Dragostunjë, kanë shkuar menjëherë në vendin e ngjarjes, me qëllim parandalimin e përshkallëzimit të konfliktit dhe identifikimin e shtetasve të përfshirë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore u identifikuan shtetasit e përfshirë në konflikt dhe në vijim të veprimeve procedurale për rastin, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Librazhd:

-arrestuan në flagrancë shtetasit I. Xh., 29 vjeç dhe A. Xh., 31 vjeç (vëllezër), për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Prishja e qetësisë publike”;

-shpallën në kërkim shtetasit V. Xh., 38 vjeç dhe K. Xh., 35 vjeç (vëllezër të shtetasve të arrestuar);

-referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasen E. G., 50 vjeçe (kameriere), për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.

Nga hetimet dyshohet se më datë 09.07.2025, në ambientet e një lokali, në fshatin Dragostunjë, shtetasit I. Xh., A. Xh., V. Xh. dhe K. Xh. kanë goditur me grushte dhe me sende të forta, për motive të dobëta, shtetasit A. N., B. B., E. A., F. F. dhe M. F., të cilët janë jashtë rrezikut për jetën.

Po punohet për kapjen e 2 shtetasve në kërkim.

Top Channel