
Tabutë dhe marrëdhëniet e ndaluara në diktaturë është tema e kësaj mbrëmjeje në “Top Story”, me praninë e personaliteteve të ndryshme.
Shkrimtarja Rita Petro, duke folur për barazinë gjinore, u shpreh se në vendin tonë gjatë sistemit komunist gruaja filloi të punojë, por nga ana tjetër u zhvesh nga feminiliteti. Ajo dallon sistemin në Shqipëri nga vendet e tjera në Lindjes…
“Mund të thuhet. Duket si paradoks, por nuk marrim parasysh këtu situatën në Shqipëri, flasim për vendet e Lindjes. Ka pasur vërtet liri seksuale, sepse në këto vende flitej shumë, ishte pjesë e programit të tyre, kishte liri mes burrit dhe gruas. Gruaja doli në punë, ishte më e lirë dhe nga konvencionet e religjionit, gjë që nuk ndodhte në Perëndim derisa u bë revolucioni seksual, ku pati një shpërthim në shoqëri, në art, kulturë e gjithçka tjetër. Por, ka studime që bëjnë një analizë të rëndësishme, sepse në Perëndim ishte familja tradicionale, punonte burri, gruaja mbante fëmijët, por kishte dhe standard shumë më të lartë jetesë. Ndërsa në Lindje, edhe gruaja nisi të punonte. Por, në Shqipëri ka qenë ndryshe. Në Shqipëri, edhe komunizmi ishte ndryshe nga vendet e tjera, vërtet këtu u tha se gruaja duhet të jetë e barabartë me burrin, por iu zhvesh gjithçka që kishte të bënte me feminilitetin. Ishte dashuria kolektive, pra ishte një situatë e gënjeshtërt. U zhvesh nga vetvetja, u zhvesh nga të qenit femër”, u shpreh shkrimtarja.
Top Channel