I vuri flakën parcelës me pemë frutore, arrestohet 50-vjeçari në Shijak

10/07/2025 16:35

Reagimi i menjëhershëm dhe profesional i Policisë, bëri të mundur identifikimin, kapjen dhe arrestimin në flagrancë të autorit të zjarrvënies në një parcelë me ullinj dhe me pemë frutore.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak, pas marrjes së njoftimit se në fshatin Koxhas-Fushë, kishte rënë zjarr në një parcelë me ullinj dhe me pemë frutore, kanë reaguar menjëherë për identifikimin dhe kapjen e autorit.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar të zjarrvënies, shtetasit S. L., 50 vjeç, i cili u kap pranë parcelës, ndërkohë që zjarri ishte ende aktiv.

Nga këqyrja paraprake rezulton se janë djegur 2 dynym tokë arë, në pronësi të shtetasit D. G., si dhe 169 pemë ulliri dhe pemë Paulownia, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”.

Top Channel