Gara për drejtorin e BKH/ Zhvillohet testi i aftësisë fizike, ja çfarë përfshihej

10/07/2025 11:26

Në përputhje me nenin 38, pika 2, shkronja ‘d’, të ligjit 95/2016, sot u zhvillua faza e dytë e përzgjedhjes së Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), përkatësisht Testi i Aftësisë Fizike (TAF). Testimi nisi në orën 07:00 në ambientet e Njësisë Speciale RENEA në Yzberisht, Tiranë.

Shtatë kandidatët pjesëmarrës ishin njoftuar më herët për modalitetet e zhvillimit të testit dhe përfunduan të gjithë komponentët përbërës të tij.

Testi synonte vlerësimin e forcës fizike dhe rezistencës:

Numrin maksimal të palosjeve (në një minutë);
Sprintin 300 metra, (i matur me kohë)
Numrin maksimal të pompave (pa kufizim kohor)
Vrapin 2.4 km, (i matur me kohë).
Zhvillimi i testit u monitorua nga një ekip mjekësor për të vëzhguar mbarëvajtjen e tij.

Të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë, për të garantuar transparencën dhe ruajtjen e standardeve të procesit.

Pas përfundimit të kësaj faze, do të vijohet me fazën e tretë, e cila konsiston në zhvillimin e një eseje me shkrim dhe testit të arsyetimit logjik.

Top Channel