Dha jetën për shpëtimin e turistëve në Shkodër, Arben Anamali shpallet Dëshmor i Atdheut, Rama: I paharruar!

10/07/2025 14:35

Arben Anamali, 51-vjeçari që humbi jetën për të shpëtuar disa turistë në Liqenin e Shkodrës është shpallur Dëshmor i Atdheut.

Lajmi është dhënë nga kryeministri Edi Rama, i cili shprehet se ai sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve.

“U PREHSH NË PAQE DËSHMOR I ATDHEUT. Nderojmë me mirënjohjen më të lartë të Republikës, Kapiten Arben Anamalin, drejtuesin e anijes turistike të Bashkisë Shkodër që sakrifikoi jetën e tij për të shpëtuar jetën e dy turistëve në Liqenin e Shkodrës I paharruar, Kapiten Arbeni”, ka shkruar Rama.

Pas thuajse 48 orësh kërkimesh, sot u gjet trupi i pajetë i kapitenit të anijes turistike.

Kapiteni i kthyer në hero, u fut për të shpëtuar dy turistë në liqen dhe u mbyt vetë. Turistët izraelitë ishin futur për të notuar, por për shkak të rrymave të liqenit, kanë pasur probleme dhe kanë rrezikuar të mbyten.

Sapo i ka vënë re, Anamali është hedhur në ujë për t’i ndihmuar. Ai ka arritur t’i afrojë dy izraelitët deri tek varka dhe më pas është zhdukur në ujë.

Dyshimet janë se, për shkak të lodhjes, 51-vjeçari ka pësuar komplikacione shëndetësore në ujë dhe është mbytur.

Anamali ishte babai i dy fëmijëve të mitur dhe prej vitit të kaluar ishte emëruar kapiten i anijeve turistike në pronësi të Bashkisë Shkodër. Fatkeqësisht, ky akt heroik u kthye në një tragjedi për të, për familjen dhe për të gjithë ata që e njohën.

Top Channel