Debate të forta tek “Plumbi i Artë”/ “S’do të dëgjojmë idiotësirat e këtij, nxirreni jashtë”, prokurori përplaset me avokatin

10/07/2025 13:43

Debate të forta në seancën e radhës për operacionin “Plumbi i Artë”.

Në sallën e gjykimit debatet më të forta ishin mes prokurorëve dhe avokatëve.

Shkak i debateve u bë fakti që pasi gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur në dispozicion të plota disa procesverbale deklarimesh të të penduarit Erion Alibej, të vitit 2022.

Gjykata e Posaçme dështoi për të katërtën herë radhazi të marrë dëshminë e të penduarit Skerdi Tase në gjykimin e dosjes “Plumbi i Artë”, sipas gazetares së Top Channel, Anila Hoxha.

Seanca u shoqërua me debate të forta që kulmuan pasi gjykata refuzoi kërkesën e avokatëve mbrojtës për të pasur në dispozicion të plota disa proces verbale deklarimesh të të penduarit Erion Alibej, të vitit 2022.

Pas këtij momenti, avokati i Henrik Hoxhajt dhe avokatët e Altin Ndocit kërkuan përjashtimin e të tre anëtarëve të trupit gjykues me pretendimin se ishin të njëanshëm në gjykim.

Debati në sallë precipitoi deri në fyerje nga ana e prokurorit Behar Dibra, ndërsa avokati Gentian Rumano po përsëriste kërkesën për përjashtim.

Prokurori Dibra gjykatës: A mund t’ia ndërprisni fjalën. A mund ta ndërprisni dhe ta nxirrni jashtë!

Rumano: Znj. kryetare unë e bëj këtë kërkesë, pasi në Apel, gjykata , më thonë “a e bëre kërkesën në momentin e duhur”. Ky është momenti i duhur.

Prokurori: A mund ta ndërprisni, sepse nuk do të dëgjojmë idiotësirat e këtij idioti. Idiotësirat e këtij idioti!

Av.Rumano: Ju sapo konsumuat një vepër penale.

Ndërhyn gjykata për të qetësuar situatën, ndërsa avokati Rumano braktisi sallën.

Për shkak të mbetjes pa mbrojtje të të pandehurit Henrik Hoxhaj gjykata ndërpreu seancën dhe e shtyu për të martën.

Për shkak të këtyre debateve gjykata e posaçme ka dështuar për të katërtën herë që të dëgjojë dëshminë e të penduarit të 3 të drejtësisë Skerdi Tase.

Top Channel