
Departamenti Amerikan i shtetit Nis në Kosovë zyrtarin e tij të lartë, Brendan Hanrahan. Pas ndalesës në Prishtinë, ai pritet të vizitojë edhe dy vende tjera të Ballkanit, Serbi dhe Bosnje e Hercegovinë.
“Pres me padurim përforcimin e lidhjeve në mes të Shteteve të Bashkuara dhe shteteve në rajon”, ka thënë ai përmes një postimi në platformën X. Aktualisht nuk ka detaje të tjera për këtë vizitë, e cila mësohet një ditë pasi Hanrahan u takua në Washington me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Osmani pohoi përmes një postimi në Facebook se me diplomatin amerikan kanë diskutuar lidhur me “thellimin e partneritetit strategjik midis Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara”.
“Kosova është e gatshme ta avancojë bashkëpunimin me SHBA-të në fusha kyç si mbrojtja, ekonomia, si dhe investimet strategjike me interes të ndërsjellë”, thuhet në postimin e saj. Ndërkohë, në vigjilje të 30 vjetorit të masakrës së Srebrenicës, Hanrahan përmendi marrëveshjen e Dejtonit që ii dha fund luftës në Bosnje më 1995.
Masakra në fjalë është cilësuar si më e rënda në Evropë prej Luftës së Dytë Botërore. Majin e vitit të kaluar, Kombet e Bashkuara miratuan një rezolutë e cila e njohu 11 korrikun si Ditën Ndërkombëtare të Përkujtimit të Genocidit në Srebrenicë.
Top Channel