Presidentit amerikan duket se i ka mbaruar durimi me homologun e tij rus – por mbetet për t’u parë se si kjo do të përkthehet në mbështetje praktike për Kievin.

“Nuk jam i kënaqur me Putinin. Mund t’ju ​​them kaq tani”, tha Trump, duke shprehur zhgënjimin e tij me udhëheqësin rus për shkak të luftës në Ukrainë.

“Putini na thotë shumë budallallëqe … Ai është shumë i sjellshëm gjatë gjithë kohës, por rezulton të jetë pa kuptim.”, tha Trump.

Nuk është se Donald Trump njihet për një stil oratorik të sofistikuar, dhe me të çdo gjë mund të ndryshojë brenda pak orësh. Por ndoshta, një ndarje e vërtetë mes Trumpit dhe Vladimir Putinit ka ndodhur. Nëse kjo është e vërtetë, do të ishte një moment transformues — një justifikim për presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy, i cili ndodhet në Romë për konferencën vjetore të rindërtimit të Ukrainës, por edhe për aleatët evropianë si Mbretëria e Bashkuar dhe Franca, të cilët kanë punuar me durim për t’i hapur sytë Trumpit mbi qëllimet e vërteta të Putinit.

Për herë të parë, duket se Trump ka filluar ta kuptojë se Putini nuk është partner i besueshëm për t’i dhënë fund luftës. Megjithatë, me Trumpin, largimi nuk është kurrë i plotë apo përfundimtar. Ai mund të ketë zhgënjime ndaj Putinit, por kjo nuk do të thotë se do të japë mbështetjen praktike që Ukraina kërkon. Gjithsesi, është e qartë se “America First” nuk është më njësoj si “Russia First”.

Në fillim të këtij viti, marrëdhëniet transatlantike ishin në rrezik. Trump nisi bisedime të drejtpërdrejta me Putinin dhe kërkoi që Ukraina të bënte lëshime. Më 19 shkurt, ai postoi në rrjetin Truth Social duke quajtur Zelenskyy-n “një diktator” dhe duke paralajmëruar se koha e Ukrainës po mbaronte. Vetëm një javë më vonë, SHBA-të votuan kundër një rezolute në OKB që dënonte pushtimin rus të Ukrainës, duke u rreshtuar përkrah Rusisë, Koresë së Veriut dhe Bjellorusisë.

Kur SHBA hartuan një projekt-rezolutë të zbutur në Këshillin e Sigurimit, Britania dhe Franca abstenuan, të paqarta se si të reagonin ndaj një mesazhi kaq të dykuptimtë.

Më 28 shkurt, Trump dhe Zelenskyy u përballën në Zyrën Ovale në një përplasje televizive të ftohtë, dhe më pas Zelenskyy mori përqafim të ngrohtë në Londër nga Mbreti Charles dhe Keir Starmer. Ndërkohë, zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, ironizoi në Telegram: “Vetëpërmbajtja që treguan Trump dhe Vance ishte mrekulli më vete”.

Negociatori amerikan Steve Witkoff, në intervista publike, tregoi një injorancë të thellë për historinë ukrainase dhe simpati për pretendimet ruse. Ai krahasoi aneksimin e Ukrainës nga Rusia me pushtimin e Gazës, duke thënë: “Rusët tashmë kanë atë që donin – Krimenë dhe pesë rajone. Pse u duhet më shumë?”

Në mars, Trump filloi të zhgënjehej pasi Putini refuzoi një armëpushim 30-ditor të propozuar prej tij, ndërsa Ukraina ishte dakord. Presidenti i Finlandës, pas tetë orësh golfi me Trumpin, raportoi se ai po humbiste durimin me Putinin.

Megjithatë, fundi i majit e gjeti Trumpin ende të paqartë. Ai shprehu frustrimin në rrjetin e tij social, duke paralajmëruar se Putini po “luante me zjarrin”, duke mos pasur ende një strategji të qartë.

Më 25 qershor, në samitin e NATO-s, Trump u nderua nga evropianët për presionin që kishte ushtruar mbi shpenzimet e mbrojtjes. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, e quajti atë “Baba”, një kompliment që pa dyshim ndikoi në gatishmërinë e Trump për të dëgjuar shqetësimet e Evropës për sigurinë.

Trump pranoi publikisht: “E konsideroj Putinin një person të gabuar. Mendoja se do ta kishim zgjidhur këtë luftë.”

Por telefonata mes tyre më 4 korrik tregoi të kundërtën. Putin ishte i palëkundur: “Rusia nuk do të tërhiqet nga qëllimet e saj”, deklaroi Kremlini. Ndërkohë, sulmet ruse ndaj Ukrainës vazhduan me intensitet. Për më tepër, Trump u zemërua kur mësoi se Pentagoni po mbante pajisje ushtarake të destinuara për Ukrainën pa e informuar Shtëpinë e Bardhë.

Çfarë vjen më pas?

Tani për tani, mbështetësit e Ukrainës presin të shohin nëse kjo ndryshim qëndrimi do të përkthehet në veprime konkrete. Një projektligj i propozuar nga senatori Lindsey Graham për sanksione të rënda kundër vendeve që blejnë energji nga Rusia mund të jetë testi i parë i vërtetë. Me mbështetjen e Trump, projektligji mund të shkojë përpara, me përjashtime për aleatët evropianë që kanë mbështetur Ukrainën.

“Po lëvizim”, tha Graham, duke cituar Trumpin që i kishte thënë se “është koha për të vepruar”.

Në vijën e frontit, ukrainasit nuk kanë luksin të jenë naivë — por mund të shpresojnë që më në fund, Trump po fillon të shohë Putinin ashtu siç është.

Top Channel