Macron kërkon krijimin e shtetit të Palestinës: Rruga e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme

09/07/2025 07:28

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron gjatë fjalimit para anëtarëve të parlamentit britanik vuri në pah natyrën e ndërlikuar të marrëdhënieve midis Francës dhe Mbretërisë së Bashkuar, si dhe sfidat globale që përballen sot, përfshirë luftën në Ukrainë dhe krizën humanitare në Gaza.

Duke folur në pallatin historik të Westminsterit, në ditën e parë të vizitës së tij shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar, Macron theksoi se kthimi i luftës në kontinentin evropian ka vënë në rrezik rendin paqësor dhe stabilitetin ndërkombëtar.

“Çdo avancim i Rusisë së Vladimir Putinit në Ukrainë përfaqëson një kërcënim për të gjithë ne”, deklaroi ai, duke shtuar se Evropa nuk do ta braktisë kurrë Ukrainën. Ai u bëri thirrje aleatëve që të bashkëpunojnë në mbrojtje të rendit ndërkombëtar dhe vlerave të përbashkëta, sipas Bloomberg.

Duke iu referuar situatës në Gaza, Macron përmendi përpjekjet për një armëpushim, duke thënë se kjo krizë kërkon një reagim të përbashkët dhe të qëndrueshëm.

“Thirrja për një armëpushim pa kushte në Gaza është një mënyrë për të treguar se Evropa nuk përdor standarde të dyfishta. Ne jemi të angazhuar për mbrojtjen e jetës njerëzore dhe për respektimin e integritetit territorial”, theksoi presidenti francez.

Ai gjithashtu deklaroi se njohja e shtetit të Palestinës dhe përkushtimi ndaj një zgjidhjeje politike është rruga e vetme për të arritur paqe të qëndrueshme në Lindjen e Mesme.

Top Channel