Sulm i rrallë bletësh në Francë, 24 të plagosur! Tre prej tyre në gjendje kritike

08/07/2025 07:14

Një sulm i pazakontë nga një tufë bletësh në qytetin Aurillac, në Francën jug-qendrore, ka lënë të plagosur 24 persona. Sipas autoriteteve lokale tre prej tyre janë në gjendje kritike. 

Ngjarja ndodhi të dielën në mëngjes, kur kalimtarët në një zonë të frekuentuar të qytetit u sulmuan për rreth 30 minuta nga bletët.

Shërbimet e urgjencës mbërritën shpejt në vendngjarje, duke ofruar ndihmë mjekësore dhe duke vendosur një perimetër sigurie për të mbrojtur banorët dhe kalimtarët e tjerë.

Sipas prefekturës së Cantal, tre nga personat e lënduar u dërguan me urgjencë në spital, ku ndodheshin në gjendje të rëndë. Njëri prej tyre, një 78-vjeçar, pësoi arrest kardiak, por u ringjall me sukses nga ekipet mjekësore dhe më vonë gjendja e tij u stabilizua.

Kryebashkiaku i Aurillac, Pierre Mathonier, deklaroi për televizionin BFM TV se sulmi mund të jetë shkaktuar nga grerëzat aziatike, një specie invazive e njohur për agresivitetin e saj.

Grerëzat dyshohet se kanë kërcënuar një koshere bletësh që ndodhej prej më shumë se një dekade në tarracën e çatisë së një hoteli lokal, duke bërë që bletët të reagojnë në mënyrë të dhunshme.

“Bletët ndiheshin të kërcënuara dhe u bënë jashtëzakonisht agresive”, tha Mathonier, duke shtuar se kosherja është hequr dhe zhvendosur jashtë qytetit nga një bletar profesionist.

Top Channel