Kualifikueset për UEFA Champions League/ Triumfon Drita e Gjilanit, djemtë e Ramadanit do udhëtojnë drejt Luksemburgut me avantazh minimal

08/07/2025 22:34

Skuadra e Dritës së Gjilanit ka marrë një fitore të rëndësishme në përballjen e parë kundër ekipit luksemburgas, FC Differdange 03, në raundin e parë të ndeshjeve kualifikuese për UEFA Champions League.

Ndeshja u zhvillua në Gjilan dhe përfundoi me rezultatin 1-0 në favor të ekipit kosovar.

Golin e vetëm të sfidës e shënoi sulmuesi Arb Manaj në minutën e 74-t, pas një aksioni të mirëorganizuar nga ekipi i trajnerit Ramadani. Goli i jep avantazhin Dritës para ndeshjes së kthimit që do të zhvillohet më 15 korrik në Luksemburg.

Ndeshja ishte e qetë, jo me shumë raste, por Drita krijoi më shumë rrezik në portën e fqinjëve dhe arriti të konkretizojë me një gol që mund të rezultojë vendimtar për fatin e kualifikimit.

Djemtë e Dritës do të udhëtojnë drejt Luksemburgut me një epërsi minimale, por të vlefshme, ndërsa synimi i tyre do të jetë ruajtja e rezultatit  apo thellimi i tij, në mënyrë që kalojnë në raundin tjetër të kualifikueseve të UEFA Champions League.

 

Top Channel