Ibiza drejt kolapsit shëndetësor! Spitalet nuk përballojnë dot thirrjet e shtuara nga abuzimi me drogën dhe alkoolin

08/07/2025 11:40

Ishulli i famshëm për jetën e natës dhe klubet luksoze po përballet me një krizë serioze në sistemin shëndetësor publik.

Me ardhjen e sezonit turistik, spitalet në Ibiza janë vënë nën presion të jashtëzakonshëm për shkak të rritjes dramatike të thirrjeve emergjente të lidhura me rastet e abuzimit me drogën dhe alkoolin, sidomos në ambientet e klubeve të natës.

Sipas raportimeve të fundit, një pjesë e konsiderueshme e thirrjeve në numrin emergjent 112 vjen nga klubet ku ndodhin shpesh incidente të rënda mjekësore. Ambulancat janë të detyruara të ndalojnë vazhdimisht për të trajtuar raste në klubet e natës, duke lënë pjesën tjetër të ishullit të pambuluar për orë të tëra.

Situata është e kaotike”, ka deklaruar José Manuel Maroto, presidenti i sindikatës së punonjësve të shëndetësisë.

Në disa netë, kërkohen deri në 15 ambulanca në të njëjtën kohë, por ne kemi vetëm 9 aktive në gjithë ishullin. Jemi të rraskapitur. Mjetet e emergjencës qëndrojnë në terren deri në 8 orë pa pushim. Kjo gjendje nuk mund të vazhdojë pafundësisht“, thotë një nga punonjësit e shërbimit shëndetësor.

Sindikatat shëndetësore i kanë kërkuar zyrtarisht pronarëve të klubeve që të nënshkruajnë kontrata me shërbime private ambulancash, një praktikë që është tashmë e zakonshme në ngjarje sportive apo në evente të tjera të mëdha në Europë.

Është e papranueshme që biznese me xhiro prej miliona eurosh të mos kontribuojnë në lehtësimin e këtij problemi. Klubeve u kërkohet të punësojnë infermierë dhe personel shëndetësor, por jo automjete të emergjencës dhe kjo barrë bie mbi sistemin publik“, shton Maroto.

Top Channel