
Një moment ndryshe nga temat e zakonshme sportive ndodhi gjatë një bisede midis gazetarit italian dhe drejtorit sportiv të Milanit, Igli Tare.
Ndërsa diskutimi mori një kthesë joformale, gazetari përmendi me kuriozitet trileçen shqiptare, një nga ëmbëlsirat më të dashura në kuzhinën shqiptare.
“Ta rekomandoj ta provosh, do të të pëlqejë shumë, pak reklamë falas për vendin tim, pse jo”, u përgjigj Tare duke buzëqeshur.
Ky moment i vogël, por domethënës, ishte një shembull i bukur se si kultura dhe gastronomia shqiptare po fitojnë gjithnjë e më shumë vëmendje në skenën ndërkombëtare.
Tare u pyet edhe për Ardeon Jasharin, duke u përgjigjur se mund t’i bashkohet Milanit.
“Nuk mendoj se është e përshtatshme të flasim për këtë në një konferencë për tregun e transferimeve. Është një situatë që ju e dini tashmë dhe për të cilën ne interesohemi, fakti që ai mund të vijë në Milan. Ky është vullneti i tij, të luajë për këtë ekip.
Por në këtë kohë duhet të respektojmë dinamikën e një klubi tjetër me të cilin ai është nën kontratë. Ne besojmë se kemi bërë një ofertë të shkëlqyer, gjithashtu në respekt të historisë së klubit dhe futbollit belg. Shpresoj që historia të përfundojë me një fund të lumtur për Milanin dhe për lojtarin”, tha Tare.
Top Channel