Pushimet në Shqipëri/ Dhame: Kostoja varet nga dëshira! Vasili: Dashuria më parë jetohej, tani paguhet

07/07/2025 22:09

Të ftuar në “Top Story” nga Grida Duma aktivistja Julinda Dhame dhe aktori, Laert Vasili komentuan koston e pushimeve sot në Shqipëri.

Julinda Dhame tha se kostoja e pushimeve në Shqipëri varet edhe nga dëshira se ku do t’i bësh ato dhe shtoi se ka edhe opsione të lira.

“Kostoja e pushimeve varet edhe nga dëshira. Me organizimet e mia kam parë që ka dhe opsione të lira dhe këto opsione nuk janë shumë larg atyre të shtrenjtave, pra je në të njëjtin plazh, në të njëjtin gji dhe ka disa lloje tipologjie çmimesh dhe strukture. Mund ta gjesh kënaqësinë dhe në gjërat e vogla dhe të thjeshta”, u shpreh Julinda Dhame.

Ndërkohë aktori Laert Vasili tha se prindërit e sotëm janë në një maratonë për t’i siguruar fëmijëve të gjitha të mirat.

“Ne kaluam në mënyrë të dhunshme nga modeli i njeriut të ri, pra shoqëria kolektive në një individualizëm galopant, brezi im. Brezi i sotëm janë në një shoqëri të tillë ku prindërit janë në një maratonë ku duhet t’i sigurojë fëmijës të gjitha të mirat. Pse ti sigurosh gjithë të mirat fëmijëve? Ne që loznim me ato karrocat me kuzhineta që i bënim vet dhe rrëzoheshim disa herë, kam përshtypjen që kemi jetuar pak më të lumtur. Kjo është si të krahasosh dashurinë e jetuar me atë të paguar”, tha Laertg Vasili.

 

Top Channel