Prezantohet në Durrës presidenti i ri i KF Teuta, Dobi merr drejtimin e ekipit

07/07/2025 15:46

Klubi i Teutës ka hyrë në një fazë të re ndryshimesh, duke prezantuar zyrtarisht biznesmenin Fatos Troplini si presidentin e ri të klubit, Enkeleid Dobin në postin e trajnerit dhe Renato Arapin si drejtor sportiv.

Largimi i Edmond Hasanbelliut nga drejtimi i klubit ka sjellë një strukturë të re në drejtimin e ekipit.
Në një konferencë për shtyp të mbajtur këtë të hënë, Fatos Troplini mori zyrtarisht drejtimin e klubit si president. “Me përvojën dhe angazhimin e tij, z. Troplini synon të rikthejë lavdinë e dikurshme të klubit dhe ta udhëheqë Teutën drejt një faze të re suksesi”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit.

Një rikthim i veçantë është ai i Enkeleid Dobit, i cili kthehet pas 28 vitesh në Durrës, këtë herë si trajner i ekipit. I njohur për përvojën e tij në Poloni dhe si ish-trajner i Kukësit, Dobi do të ketë detyrën e vështirë të ndërtojë një ekip konkurrues, në bashkëpunim të ngushtë me drejtorin sportiv Renato Arapi, i cili gjithashtu është rikthyer në klubin durrsak.

Në deklaratën e tij, presidenti Troplini theksoi motivimin personal pas marrjes së drejtimit të Teutës:

“E mora ekipin nga pasioni. Synojmë të jemi mes ekipeve pretendentë dhe të rikthejmë tifozët në stadium.”

Nga ana tjetër, trajneri Dobi foli për rikthimin në qytetin e tij të lindjes dhe sfidën që ka përpara:

“Është privilegj dhe kënaqësi më e madhe sesa mund ta përshkruaj. Pritshmëritë janë të mëdha dhe puna që na pret është e rëndësishme. Nuk kemi shkop magjik, por me përkushtim do të përpiqemi ta kthejmë këtë projekt në realitet.”

Me këtë riorganizim të plotë në drejtim, Teuta synon një kapitull të ri, me ambicie për të qenë sërish në elitën e futbollit shqiptar.

“KF Teuta ka hyrë në një etapë të re zhvillimi, duke prezantuar sot zyrtarisht presidentin dhe stafin e ri administrativ në një konferencë për shtyp të mbajtur në ambientet e stadiumit “Niko Dovana”. Ky riorganizim shënon një hap të rëndësishëm drejt një vizioni të ri për klubin durrsak.

Në qendër të këtij ndryshimi qëndron emërimi i z. Fatos Troplini si President i ri i KF Teutës. Me përvojën dhe angazhimin e tij, z. Troplini synon të rikthejë lavdinë e dikurshme të klubit dhe ta udhëheqë drejt një faze të re suksesi.

Në aspektin sportiv, Enkeleid Dobi është emëruar si strategu i ri i ekipit, duke marrë përgjegjësinë për ndërtimin e një skuadre konkurruese dhe me identitet të qartë. Dobi sjell me vete një eksperiencë të pasur dhe një vizion modern për drejtimin e ekipit.

Po ashtu, një figurë e njohur për të gjithë tifozët durrsakë, Renato Arapi, rikthehet në klub, kësaj here në rolin e Drejtorit Sportiv. Ish-kapiteni dhe lojtari emblemë i Teutës do të kontribuojë me profesionalizëm dhe njohuri të thella për strukturimin dhe zhvillimin e sektorit sportiv.

KF Teuta i uron suksese stafit të ri në detyrat e tyre dhe siguron të gjithë tifozët se do të punohet me përkushtim dhe seriozitet për të rikthyer klubin në majat e futbollit shqiptar aty ku e ka vendin, falë historisë dhe traditës së tij të lavdishme”, sipas deklaratës së KF Teuta.

Top Channel