Netanyahu para takimit me Trump: Do të kontribuojë në arritjen e një armëpushimi

06/07/2025 21:10

Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha sot se takimi i tij me Donald Trump mund të “kontribuojë” në arritjen e një marrëveshjeje armëpushimi dhe lirimin e pengjeve në Gaza, përpara se të nisej për në Uashington.

“Sigurisht, ne po veprojmë për të arritur këtë marrëveshje, sipas kushteve që kemi pranuar. Unë dërgova një ekip negociator me udhëzime të qarta. Besoj se takimi me Presidentin Trump sigurisht që mund të kontribuojë në promovimin e këtij rezultati që të gjithë shpresojmë”, theksoi ai, duke folur në pistën e Aeroportit Ben Gurion.

Edhe pse presioni publik po rritet në Izrael për të arritur një armëpushim dhe për t’i dhënë fund luftës në Gaza, Netanyahu është nën presion nga anëtarët ekstremistë të qeverisë, të cilët kërkojnë të vazhdojnë konfliktin.

Edhe pse Hamasi njoftoi se po i afrohet propozimit të armëpushimit të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara me një “frymë pozitive”, pala palestineze mban kundërshtime ndaj menaxhimit të ndihmës humanitare, kalimit përmes pikës kufitare të Rafah në sektorin jugor të enklavës palestineze dhe orarit për tërheqjen e forcave izraelite.

Zyra politike e Benjamin Netanyahut njoftoi se ndryshimet e kërkuara nga Hamasi nuk janë të pranueshme për Izraelin. Përpara takimit, qeveria izraelite po thekson faktin se megjithatë ka dërguar një delegacion në Doha “për të vazhduar përpjekjet për të siguruar kthimin e pengjeve tona, bazuar në propozimin e Katarit me të cilin Izraeli është pajtuar”.

Megjithatë, ky është një delegacion i përbërë nga drejtues të rangut të ulët , pa aftësinë për të zhvilluar negociata serioze dhe për të marrë vendime serioze.

Top Channel