
Anëtarët e një ekipi televiziv të Deutsche Welle u sulmuan nga kolonët izraelitë në Bregun Perëndimor , tha agjencia gjermane në një deklaratë.
Qeveria gjermane ka kërkuar garanci për sigurinë e personelit të medias. Incidenti ndodhi të premten, kur një korrespondent nga zyra e DW në Jerusalem dhe një kameraman u qëlluan me gurë dhe u ndoqën nga kolonët izraelitë pranë fshatit Sinjil, në veri të Ramallahut. Selia qendrore në Bonn njoftoi se kolegët e saj arritën të shpëtonin pa lëndime, ndërsa makina e tyre u dëmtua rëndë.
Drejtori i Përgjithshëm i Deutsche Welle, Peter Limburg, dënoi sulmin ndaj gazetares dhe kameramanit, të cilët, tha ai, po mbulonin një tubim proteste të planifikuar kundër dhunës së kolonëve. “Ne kërkojmë shumë qartë që qeveria izraelite të garantojë sigurinë e të gjithë gazetarëve në Bregun Perëndimor. Liria e shtypit – dhe për rrjedhojë siguria e gazetarëve – është një shtyllë thelbësore e çdo demokracie”, tha kreu i DW. Në të njëjtën linjë, ambasadori gjerman në Izrael, Steffen Seibert, në një postim në “X”, tha se raportet për sulme të dhunshme nga kolonët ndaj gazetarëve të huaj ishin jashtëzakonisht shqetësuese. “Liria e shtypit dhe siguria e gazetarëve duhet të garantohen. Puna e tyre është thelbësore, duke pasur parasysh dhunën në rritje të kolonëve ekstremistë”, shkroi z. Seibert.
Shoqata e Gazetarëve Gjermanë, e cila gjithashtu e dënoi sulmin, po kërkon sqarime mbi incidentin. Presidenti Mika Boister theksoi se qeveria izraelite ka detyrën të hetojë incidentin dhe ta trajtojë atë në mënyrë gjyqësore: “Kolonët radikalë nuk mund t’i ndjekin punonjësit e medias pa u ndëshkuar. Kjo nuk duhet të mbetet pa u ndëshkuar”, tha ai.
Sinjil ndodhet në pjesën e administruar nga palestinezët e Bregut Perëndimor. Sipas shumë mediave ndërkombëtare, një tubim i banorëve u mbajt në zonë të premten për të protestuar kundër dhunës dhe grabitjes së tokës nga kolonët izraelitë. Kohët e fundit, autoritetet izraelite ngritën një gardh në zonë, duke prerë pjesë të fshatit nga boshti kryesor veri-jug në Bregun Perëndimor, Rruga 60, si rezultat i së cilës disa njerëz nuk mund të arrijnë më në fshatrat e tyre dhe shumë të korra të fermerëve vendas u shkatërruan. Përveç Deutsche Welle, të premten në vendngjarje ishin edhe korrespondentët e New York Times, Washington Post dhe Agence France-Presse, të cilët, siç raportoi DW, u detyruan gjithashtu të largoheshin për shkak të sulmit të kolonëve.
Top Channel