
Ushtria izraelite njoftoi se do të dërgojë 54,000 karta rekrutimi për hebrenjtë ultra-ortodoksë, të cilët për dekada janë përjashtuar nga shërbimi ushtarak — një çështje që kërcënon të ardhmen e qeverisë së koalicionit të Benjamin Netanyahut.
“Ushtria do të nisë këtë javë dërgimin e kartave të rekrutimit si pjesë e procedurave për anëtarët e komunitetit ultra-ortodoks, për të cilët statusi i studentit të yeshiva-s (shkollës talmudike) nuk do të jetë më i vlefshëm pas skadimit të ligjit përkatës,” thuhet në deklaratën e ushtrisë izraelite.
Rekrutimi i hebrenjve ultra-ortodoksë është një problem për qeverinë e Netanyahu, e cila u formua në dhjetor 2022 dhe vazhdon të mbetet në pushtet falë aleancës së partisë Likud me partitë fetare të ekstremit të djathtë dhe ultra-ortodokse, të cilat këmbëngulin për të ruajtur përjashtimin nga shërbimi. Kjo po shkakton shqetësim në pjesën tjetër të shoqërisë izraelite, veçanërisht pas 21 muajsh lufte në Gaza dhe konflikteve në Liban, Siri dhe Iran.
Sipas një marrëveshjeje që daton që nga themelimi i shtetit të Izraelit në vitin 1948, burrat haredim kanë përfituar për dekada nga një përjashtim de facto nga shërbimi ushtarak, me kusht që t’i kushtohen plotësisht studimit të teksteve të shenjta të judaizmit në shkollat talmudike.
Ky përjashtim u sfidua nga Gjykata e Lartë në vitet 2000, duke detyruar qeveritë e ndryshme të miratojnë marrëveshje të përkohshme ligjore për të kënaqur komunitetin ultra-ortodoks, i cili ka qenë faktor vendimtar në krijimin dhe rrëzimin e qeverive.
Që nga qershori 2024, qeveria ndodhet nën presion nga sistemi gjyqësor për të vazhduar rekrutimin e ultra-ortodoksëve, pasi nuk ekziston më një ligj që garanton përjashtimin e tyre.
“Formularët e regjistrimit do të dërgohen në valë gjatë muajit korrik, deri në një total prej 54,000,” tha deklarata e ushtrisë.
“Ushtria do të vazhdojë përpjekjet për të zgjeruar rekrutimin e anëtarëve të komunitetit ultra-ortodoks, duke siguruar kushtet më të mira për t’u ruajtur mënyra e tyre unike e jetesës,” shtoi ajo.
Komuniteti ultra-ortodoks përbën 14% të popullsisë hebraike në Izrael, që arrin rreth 1.3 milion njerëz, dhe 66,000 prej tyre janë në moshë ushtarake dhe deri më tani kanë qenë të përjashtuar.
Disa rabinë argumentojnë se studimi i Torës mbron vendin po aq sa edhe ushtria. Të tjerë kanë frikë se përfshirja e hebrenjve të rinj ultra-ortodoksë në një korpus ushtarak jofetar, ku shërbejnë edhe gratë, do të ndryshojë identitetin e tyre fetar.
Top Channel