“America Party” e Elon Musk/ Miliarderi themelon partinë e tij pak javë pas sherrit me Trump, dilema…

06/07/2025 09:24

Elon Musk ka shpallur krijimin e një partie të re politike në Shtetet e Bashkuara, vetëm pak javë pas prishjes së marrëdhënieve me presidentin Donald Trump.

Në një postim në rrjetin e tij social X, Musk njoftoi formimin e America Party, si një alternativë ndaj sistemit dy-partiak në SHBA. Ai tha se kjo parti synon të “kthejë lirinë” tek qytetarët, duke akuzuar të dyja partitë kryesore për korrupsion dhe shpërdorime.

Megjithatë, deri të shtunën, nuk kishte asnjë dokument të publikuar nga Komisioni Federal Zgjedhor që të vërtetonte regjistrimin zyrtar të partisë. Musk, i cili nuk mund të kandidojë për president për shkak se ka lindur jashtë SHBA-së, nuk ka bërë të ditur se kush do ta drejtojë partinë.

Nisma e tij vjen pas një përplasjeje të ashpër publike me Trump, pas së cilës ai dha dorëheqjen nga roli në administratë dhe kritikoi ligjin e ri fiskal të presidentit, i cili rrit borxhin kombëtar me mbi 3 trilion dollarë dhe nuk përfshin mbështetje për energjinë e gjelbër.

Trump u kundërpërgjigj, duke e akuzuar Musk se ka përfituar miliarda nga subvencionet qeveritare dhe se pa to, do të mbyllte bizneset. Ai paralajmëroi gjithashtu se do të hetojë mbështetjen shtetërore ndaj kompanive të Musk.

Musk ka qenë më parë një mbështetës i madh financiar i Trump, duke shpenzuar rreth 250 milionë dollarë në fushatën e tij dhe madje ka shoqëruar djalin e tij të vogël në takime me ish-presidentin në Shtëpinë e Bardhë.

Megjithatë, përplasja mes tyre tani duket përfundimtare, dhe Musk po përpiqet të shndërrohet në një figurë të re politike në skenën amerikane – jashtë sistemit tradicional të dy partive.

Top Channel