A do të rikthehen tarifat deri në 50% më 1 gusht? Trump rrit presionin ndaj partnerëve tregtarë

06/07/2025 19:43

Sekretari i Thesarit të SHBA-së, Scott Bessant, tha se nëse nuk ka marrëveshje me Shtetet e Bashkuara në ditët në vijim, tarifat deri në 50% të shpallura në prill dhe të shtyra për të lënë kohë për negociata do të hyjnë në fuqi më 1 gusht.

Afati i 9 korrikut për vendosjen e tarifave ndëshkuese ishte në fuqi deri të premten, kur Presidenti Trump sqaroi se vendet do të fillonin të paguanin nga 1 gushti. I pyetur se çfarë do të ndodhte të mërkurën, Scott Bessant i tha CNN: “Do të jemi shumë të zënë gjatë 72 orëve të ardhshme.”

“Presidenti Trump do t’u dërgojë letra disa prej partnerëve tanë tregtarë, duke thënë se nëse gjërat nuk ecin përpara, atëherë më 1 gusht ato do të kthehen te tarifat e 2 prillit”, shpjegoi Sekretari i Thesarit të SHBA-së.

“Kështu që mendoj se do të shihni shumë marrëveshje shumë shpejt,” tha ai, duke parashikuar se “do të ketë shumë njoftime të rëndësishme në ditët në vijim,” pavarësisht “rezistencës”.

“Strategjia amerikane është të ushtrojë presion maksimal,” theksoi ai, duke përmendur Bashkimin Evropian si shembull.

“Bashkimi Evropian ishte shumë i ngadaltë për t’u ulur në tryezën e negociatave, deri tre javë më parë. Të premten në mëngjes, Presidenti Trump kërcënoi me tarifa prej 50%,” tha ai. “Në orët e ardhshme, pesë udhëheqës evropianë e telefonuan atë dhe Ursula von der Leyen e telefonoi gjithashtu.” “BE-ja po bën përparim shumë të mirë.”

Sipas Scott Bessant, rreth njëqind letra do t’u dërgohen vendeve të vogla “me të cilat kemi shumë marrëveshje tregtare”, por administrata po “përqendrohet” në “tetëmbëdhjetë marrëdhënie të mëdha që përbëjnë 95% të deficitit tonë tregtar”.

Top Channel