Skandal i ri godet partinë qeverisëse të Spanjës, zyrtari jep dorëheqjen për shkak të akuzave për ngacmim seksual

05/07/2025 17:27

Përpjekjet e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez për të ringritur Partinë Socialiste në pushtet janë goditur rëndë këtë fundjavë, pas një tjetër skandali që po trondit PSOE-në (Partia Socialiste e Punëtorëve Spanjolle).

Një zyrtar i lartë i partisë dha dorëheqjen të shtunën, pas akuzave për ngacmim seksual nga disa punonjëse. Francisco Salazar, i cili mbikëqyrte koordinimin institucional në rezidencën zyrtare të kryeministrit dhe së fundmi ishte emëruar në një rol kyç brenda strukturës organizative të PSOE-së, u detyrua të tërhiqej menjëherë pasi media spanjolle elDiario publikoi dëshmitë tronditëse.

Në reagimin e tij, Salazar tha se nuk e kujtonte asnjë sjellje të papërshtatshme, por pranoi se “e kishte shqyrtuar me shqetësim të thellë” situatën. Ndërkohë, Moncloa ka nisur një hetim të brendshëm, megjithëse nuk është dorëzuar ende asnjë ankesë zyrtare.

Skandali vjen në një moment kritik për Pedro Sánchez, i cili po përpiqet të rifitojë besimin e publikut pas një vale hetimesh për korrupsion brenda partisë së tij. Vetëm disa ditë më parë, një nga bashkëpunëtorët më të afërt të kryeministrit, Santos Cerdán – ish-sekretar organizativ i PSOE-së – u vu nën hetim për përfshirje në skemë ryshfetesh për kontrata ndërtimi. Cerdán është arrestuar dhe ka dhënë dorëheqjen nga të gjitha funksionet politike, ndërsa është zotuar se do të mbrojë pafajësinë e tij.

Hetimet përfshijnë gjithashtu edhe ish-ministrin e transportit, José Luis Ábalos, dhe ndihmësin e tij, Koldo García. Të tre mohojnë akuzat.

Ndërkohë, edhe figura të tjera pranë kryeministrit – përfshirë bashkëshorten dhe vëllain e tij – janë objekt hetimesh të ndara për korrupsion, duke shtuar më tej presionin mbi qeverinë.

Sánchez, që erdhi në pushtet në vitin 2018 me një platformë etike dhe anti-korrupsion, u shpreh të shtunën se nuk do të japë dorëheqje, pavarësisht thirrjeve në rritje për zgjedhje të parakohshme. “Kapiteni nuk largohet kur deti bëhet i trazuar,” deklaroi ai. “Unë do të qëndroj për të udhëhequr vendin drejt stabilitetit.”

Por zërat kundër tij po shtohen edhe brenda vetë PSOE-së. Emiliano García-Page, lider rajonal i socialistëve në Castilla-La Mancha, i bëri thirrje publikisht kryeministrit që të shqyrtojë një votëbesimi në parlament. “Nëse nuk e fitojmë, atëherë duhet të mendojmë seriozisht për të shkuar në zgjedhje,” tha ai.

Ndërkohë, Partia Popullore opozitare e ka akuzuar Sánchez-in për dështim moral dhe institucional. “Ai nuk ka më besueshmëri. Lufta e tij kundër korrupsionit dhe seksizmit ka qenë vetëm për sy e faqe,” thanë burime nga PP.

Kriza që po përfshin qeverinë socialiste pritet të thellohet në ditët në vijim, me shumë analistë që parashikojnë një përplasje të fortë politike brenda verës.

Top Channel