Përmbytjet në Teksas/ Shkon në 27 numri i viktimave, 9 prej tyre fëmijë, 20 vajza të zhdukura në kamp

05/07/2025 17:30

Të paktën 27 persona kanë humbur jetën në përmbytjet shkatërrimtare që kanë goditur Qarkun Kerr në Teksas, të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme të shiut.

9 prej viktimave janë fëmijë, kurse 18 të rritur.

Mes viktimave është edhe Renee Smeistrala, një vajzë 9-vjeçare që po qëndronte në një kamp veror në zonë, humbja e së cilës është konfirmuar nga prindërit.

Tragjedia ka përfshirë edhe të paktën 20 vajza të tjera, të cilat ndodheshin në të njëjtin kamp dhe rezultojnë ende të zhdukura. Autoritetet kanë nisur një operacion të gjerë kërkimi dhe shpëtimi në përpjekje për t’i gjetur, ndërsa frika për fatin e tyre po rritet nga ora në orë.

Kampi Mystic, një kamp i njohur për vajzat e krishtera që ndodhet buzë lumit Guadalupe, është shkatërruar plotësisht nga përmbytjet. Mbi 700 fëmijë ndodheshin aty në momentin e katastrofës. Sipas Shërbimit Kombëtar të Motit, niveli i lumit Guadalupe u rrit me afro 8 metra brenda më pak se një ore, për shkak të 300 milimetrave shi – një e treta e sasisë mesatare vjetore të reshjeve në këtë zonë.

Zyrtarët lokalë e kanë cilësuar situatën si “kërcënuese për jetën”, ndërsa emergjencat janë ende në zhvillim dhe ndihma po koordinohet për banorët dhe kampistët e prekur nga përmbytja katastrofike.

FOTO GALERI
1/5

Top Channel