Për herë të parë pas më shumë se 100 vitesh, Parisi lejon qytetarët që të lahen në Senë

05/07/2025 13:50

Duke filluar nga data 5 korrik, qytetarët parisienë dhe turistët do të mund të notojnë lirshëm në lumin Sena, një ngjarje historike për kryeqytetin francez.

Vendimi vjen pas përfundimit të një fushate të gjerë pastrimi dhe dezinfektimi të ujërave, të kryer nga autoritetet lokale.

Për herë të parë që nga vitet 1920, tre zona të caktuara përgjatë brigjeve të Senës janë zyrtarisht të hapura për not të lirë, sipas njoftimit nga Bashkia e Parisit. Këto hapësira do të jenë të disponueshme për publikun deri më 31 gusht 2025.

Projekti për pastrimin e Senës nisi me intensitet të lartë në prag të Lojërave Olimpike Verore të Parisit 2024, pasi lumi ishte planifikuar të përdorej për gara noti dhe triathloni. Investimet dhe angazhimi i qeverisë lokale dhanë rezultat: uji i Senës tashmë është i certifikuar për larje, duke përmbushur standardet evropiane të cilësisë.

Tre vendet e hapura për not ndodhen në zona të njohura të Parisit, me siguri të garantuar nga roje bregdetarë dhe me monitorim të përditshëm të cilësisë së ujit.

Top Channel