Pas vapës ekstreme nisin përmbytjet/ Veriu i Italisë nën ujë, shtyhen 13 fluturime në Lombardi

05/07/2025 16:37

Reshje të dendura shiu dhe stuhi të forta kanë përfshirë që nga mëngjesi i sotëm rajonin e Lombardisë në Itali, duke shkaktuar probleme të shumta në qytetet e Milanos dhe Komos.

Si pasojë e kushteve ekstreme atmosferike, 13 fluturime janë devijuar drejt aeroportit Orio al Serio, në Bergamo.

Autoritetet italiane kanë lëshuar alarm portokalli për stuhi të forta, ndërsa liqeni i Komos ka dalë nga shtrati, duke shkaktuar përmbytje në zonat përreth. Gjendja është bërë kritike edhe në pellgun e Sevesos, i cili është aktivizuar për të menaxhuar prurjet e shumta.

Në qytetin Lentate, dy familje janë evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet. Autoritetet vijojnë të monitorojnë situatën ndërsa qytetarët janë këshilluar të shmangin lëvizjet e panevojshme dhe të qëndrojnë të informuar për zhvillimet e mëtejshme.

Top Channel