
Të paktën gjashtë persona kanë humbur jetën dhe disa të tjerë janë shpallur të zhdukur, pasi përmbytje të menjëhershme përfshinë disa kampe verore në qendër të Teksasit.
Në mesin e të zhdukurve janë edhe fëmijë, transmeton Corriere della Sera.
Sipas autoriteteve lokale, lumi Guadalupe doli nga shtrati, duke u ngritur me më shumë se 6 metra për vetëm një orë, si pasojë e reshjeve të dendura gjatë natës. Përmbytjet kanë goditur veçanërisht kampet përgjatë brigjeve të lumit, ku ndodheshin dhjetëra fëmijë pjesëmarrës në aktivitete verore.
Gjykatësi i Qarkut Kerr, Rob Kelly, konfirmoi se gjashtë persona janë gjetur të vdekur, ndërsa shumë të tjerë nuk janë lokalizuar ende. Ai theksoi se një pjesë e mirë e të zhdukurve janë fëmijë, por deri tani nuk ka të dhëna për moshat apo identitetet e viktimave.
Drejtorët e Kampit Mystic, një nga kampet më të goditura, thanë se disa kabina janë përmbytur plotësisht dhe mund të jenë zhvendosur nga rrjedha e ujit. Ata kanë bërë thirrje për ndërhyrje të menjëhershme ajrore, pasi rrugët janë bërë të pakalueshme.
“E gjithë kjo ndodhi gjatë natës, teksa njerëzit flinin nëpër shtretër”, u shpreh kryebashkiaku i Kerrville, Joe Herring. Ai shtoi se pritet që reshjet të vazhdojnë edhe gjatë ditës së sotme, duke rritur rrezikun për përmbytje të tjera në zonë.
Autoritetet janë në gatishmëri të plotë dhe operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa bilanci i viktimave pritet të rritet.
Top Channel