Situata në Lindjen e Mesme, Hamasi afër pranimit të marrëveshjes së propozuar për armëpushim në Gaza

04/07/2025 18:09

Hamasi është afër pranimit të marrëveshjes së propozuar për armëpushim në Gaza, transmeton The Guardian.

Zyrtarët e Hamasit lëshuan të premten një deklaratë ku konfirmuan se po bisedonin me “fraksione të tjera palestineze” përpara se të njoftonin zyrtarisht një përgjigje për të diskutuar propozimet e reja për armëpushim, të pranuara tashmë nga Izraeli.

Grupi militant islamist është vënë nën një presion të madh në muajt e fundit, me udhëheqjen e tij ushtarake të shkatërruar dhe ushtrinë izraelite që i ka detyruar luftëtarët e saj të largohen nga ish-fortesat në pjesët jugore dhe qendrore të Gazës.

Ditët e fundit, Izraeli ka shtuar ofensivën e tij , duke nisur një valë intensive sulmesh ajrore në të gjithë Gazën, duke vrarë më shumë se 250 palestinezë, përfshirë shumë gra dhe fëmijë, sipas zyrtarëve mjekësorë dhe të mbrojtjes civile.

Fraksionet e linjës së ashpër brenda Hamasit e kanë pranuar me ngurrim nevojën për një armëpushim për t’i lejuar organizatës të riorganizohet dhe të planifikojë një strategji të re.

Që kur një armëpushim i mëparshëm u prish në mars, më shumë se 6,000 njerëz janë vrarë në Gaza dhe kriza humanitare është përkeqësuar.

Përpjekjet për një armëpushim të ri në Gaza u shtuan pasi SHBA-të siguruan një armëpushim për t’i dhënë fund konfliktit 12-ditor midis Izraelit dhe Iranit muajin e kaluar.

Të martën, Trump njoftoi se Izraeli kishte pranuar kushtet e nevojshme për të finalizuar një armëpushim 60-ditor, gjatë të cilit palët do të punojnë për t’i dhënë fund luftës. Kur u pyet të enjten nëse Hamasi kishte rënë dakord me marrëveshjen e fundit të armëpushimit. “Do të shohim se çfarë do të ndodhë, do ta mësojmë gjatë 24 orëve të ardhshme”, u shpreh Trump.

Top Channel