“Qëllimet tona nuk mund të arrihen me mjete diplomatike”, Lavrov për luftën në Ukrainë: Duhet të eliminohen shkaqet rrënjësore të konfliktit

04/07/2025 13:20

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov përsëriti qëndrimin e vazhdueshëm të Moskës se çdo zgjidhje politike dhe diplomatike për luftën në Ukrainë duhet të marrë parasysh “interesat legjitime” të Rusisë në fushën e sigurisë dhe mbrojtjen e të drejtave të popullsisë ruse dhe ruse-folëse.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas bisedimeve me Ministrin e Jashtëm saudit Faisal bin Farhan Al Saud, Lavrov theksoi se “një zgjidhje politike dhe diplomatike është e pamundur pa eliminuar shkaqet rrënjësore të konfliktit”.

Ministri rus madje kujtoi se presidenti rus, Vladimir Putin ngriti të njëjtën çështje në një bisedë telefonike me presidentin e SHBA-së, Donald Trump më 3 korrik.

Sipas Lavrov, Moska nuk mund të pranojë asnjë zgjidhje për çështjen ukrainase që injoron shqetësimet ruse për sigurinë.

“Zgjidhja e konfliktit duhet të eliminojë dhe garantojë mospërsëritjen e shkeljeve të të drejtave të popullsisë ruse”, vuri në dukje ai.

Nuk është e mundur në këtë fazë që Rusia të “arrijë” qëllimet e saj me mjete diplomatike, vlerëson Kremlini, ndërsa shtoi se po monitoron nga afër të gjitha deklaratat e Donald Trump.

Trump, i cili javën e kaluar kishte deklaruar me bindje se homologu i tij rus Vladimir Putin “kërkon të zgjidhë” luftën në Ukrainë, tregoi dje të pas një bisede telefonike me të se ishte “i zhgënjyer” dhe tha se udhëheqësi rus nuk dëshiron që lufta të mbarojë.

Kur u pyet për këtë, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov u përgjigj: “Sigurisht që ne i kushtojmë vëmendje të madhe të gjitha deklaratave të presidentit Trump” Megjithatë, ai nuk i komentoi kritikat e presidentit amerikan.

Për më tepër, Peskov theksoi se Putin i tha Trump se Moska do të preferonte të arrinte qëllimet e saj në Ukrainë me mjete politike dhe diplomatike, por ndërkohë do të vazhdonte “operacionin e saj të posaçëm ushtarak”.

Së fundmi, zëdhënësi i Kremlinit tha se presidenti rus i tha homologut të tij amerikan se Moska pritet të bjerë dakord për një raund të tretë bisedimesh paqeje me Kievin, pas dy raundeve të para në maj dhe qershor.

Top Channel