Sa shqiptarë ka në Britaninë e Madhe? Ambasadori Uran Ferizi zbërthen të pavërtetat e Farage dhe Daily Telegraph

02/07/2025 19:42

Ky është shkrimi gazetës Daily Telegraph më 4 tetor 2024 me titull “1 në 50 shqiptarë në MB është në burg.” Kjo e dhënë e cila po përdoret si kalë beteje nga Nigel Farage ka marrë një përgjigje të fortë kundërshtuese nga kryeministri Edi Rama në debatin e ditëve të fundit mes tij dhe babait të Brexit.


Gazetari Top Channel Muhamed Veliu raporton se Uran Ferizi ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar përmes një sërë të dhënash zyrtare te qeverisë angleze sjell një të tjera argumente të cilat tregojnë se numri shqiptarëve në shtetin ishull është shumë herë më i madh nga çka servir Nigel Farage bazuar në artikullin e Daily Telegraph.

“Kjo shifër është mashtruese dhe statistikisht e gabuar. Ajo krahason dy grupe të dhënash themelisht të ndryshme. Një që përllogarit një segment shumë specifik të popullsisë shqiptare sipas regjistrimit të vitit 2021 nga Zyra Kombëtare e Statistikave (ONS), dhe një tjetër që përfaqëson popullsinë e burgjeve sipas Ministrisë së Drejtësisë të Mbretërisë -së Bashkuar në vitin 2024. Në mënyrë specifike, përveç viteve të ndryshme që mbulojnë këto të dhëna, përkufizimet e “shtetësisë” ndryshojnë midis dy grupeve. Të dyja përjashtojnë shqiptarët e natyralizuar në Mbretërisë e Bashkuar dhe fëmijët e lindur në Mbretërinë e Bashkuar me origjinë shqiptare që kanë pasaporta jo-shqiptare. Është e paqartë si trajtohen mbajtësit e dyfishtë të pasaportës (përshembull, Greqi dhe Shqipëri). Për më tepër, Ministria e Drejtësisë nuk jep ndarje sipas llojit të krimeve, duke e bërë të paqartë se sa nga këto burgosje lidhen me shkelje të emigracionit”, tha ai.

Krahasime të tilla statistikore të papërpunuara thotë më tej numri një i diplomacisë shqiptare në Londër, janë në thelb mashtruese, sidomos kur krahason një komunitet emigrantësh shumë specifik me popullsinë e gjerë të MB-së, e cila ndryshon dukshëm për nga mosha, gjinia dhe përbërja socio-ekonomike. Ambasadori Ferizi tregon se përse të dhënat e Daily Telegrapoh janë të gabuara.

“Vlerësimi i popullsisë i përdorur nga The Telegraph përjashton shqiptarët e natyralizuar, mbajtësit e pasaportave të dyfishta (përfshirë dhjetëra mijëra nga Greqia dhe Italia, siç tregojnë të dhënat konsullore), si dhe fëmijët e lindur në Mbretërinë e Bashkuar me origjinë shqiptare. Popullsia e raportuar e burgjeve nuk jep përkufizime të qarta mbi shtetësinë dhe nuk kontrollon faktorë kyç demografikë si mosha, gjinia ose statusi socio-ekonomik”, deklaron ai.

Një përmbledhje e Parlamentit të MB-së në vitin 2023 sugjeroi se popullsia shqiptare në MB mund të ishte 140,000, megjithëse nuk u dha ndonjë provë mbështetëse thotë Ambasadori Uran Ferizi.

“Të dhënat krahasuese nga konsullatat për komunitetet polake (1.2 milion), lituaneze (300,000) dhe rumune (1.4 milion) sugjerojnë se popullsia me origjinë shqiptare mund të jetë midis 350,000 dhe 500,000. Një kërkesë për informacion zbuloi se 17,271 nxënës në shkollat fillore në Angli kanë regjistruar gjuhën shqipe si gjuhë të parë. Modelimi krahasues me komunitete të tjera sugjeron një popullsi me origjinë shqiptare prej 200,000–250,000. Analiza e përdorimit të gjuhës shqipe në Facebook dhe Instagram, në krahasim me komunitete të tjera të Evropës Lindore, e vlerëson popullsinë shqiptare midis 170,000 dhe 330,000. Duke marrë parasysh besueshmërinë relative të të dhënave mbi lindjet, një vlerësim konservator dhe i arsyeshëm e vendos komunitetin shqiptar në MB në rreth 300,000”, u shpreh ai për Top Channel.

Për raportin numër shqiptarësh në Britaninë e Madhe me numrin e shtetasve shqiptarë në burgjet angleze ambasadori Ferizi mbërrin këtë përfundim.

“Në popullsinë e përgjithshme të Mbretërisë së Bashkuar , meshkujt e moshës 18–35 përbëjnë rreth 15% të popullsisë. Në komunitetin shqiptar, kjo përqindje mund të jetë dyfish, ose më e lartë. Duke rregulluar këtë çekuilibër demografik, dhe me vlerësimin e ri të popullsisë, shkalla e burgosjes bie nga “1 në 50” në rreth “1 në 500′, tha ai.

Sipas ambasadorit tonë në Londër, statistika të tilla mashtruese rrezikojnë të ushqejnë steriotipe të dëmshme, të dëmtojnë marrëdhëniet mes komuniteteve dhe të errësojnë kontributet pozitive të shumicës dërrmuese të shqiptarëve që jetojnë, punojnë dhe kontribuojnë ligjërisht në Mbretërinë e Bashkuar.

Top Channel