
Tashmë është zyrtare! Spanja dhe Anglia regjistruan qershorin e tyre më të nxehtë në histori.
Shërbimi meteorologjik spajoll, Aemet, tha se qershori “jashtëzakonisht i nxehtë” – me një temperaturë mesatare prej 23.6 gradësh Celsius – “ka shënuar rekorde”, duke tejkaluar mesataren normale për korrikun dhe gushtin.
Në Angli, Zyra Meteorologjike tha se temperatura mesatare e qershorit prej 16.9 gradësh Celsius vendosi një rekord të ri për muajin e kaluar, ndërsa Mbretëria e Bashkuar – në tërësi – regjistroi qershorin e dytë më të nxehtë që nga fillimi i matjeve në vitin 1884.
Portugalia kontinentale regjistroi, gjithashtu, një temperaturë ditore rekord në qershor – prej 46.6 gradësh Celsius. Të dhënat mesatare mujore nuk janë publikuar ende.
Në Turqi, zjarret detyruan dhjetëra mijëra njerëz të evakuoheshin, ndërsa në Itali dy persona humbën jetën për arsye që lidheshin me nxehtësinë.
Në Francë, vala e të nxehtit vazhdoi në pjesën më të madhe të vendit edhe të martën – një ditë pasi shumë qytete përjetuan natën dhe ditën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në qershor.
Kulla Eiffel në Paris u mbyll pjesërisht për shkak të të nxehtit, me ministren franceze të klimës, Agnes Pannier-Runacher, që e përshkroi këtë si një situatë “të paprecedent”.
Për herë të parë në pesë vjet, rajoni i Parisit e aktivizoi alarmin e kuq – që është paralajmërimi më i lartë për nxehtësinë ekstreme – së bashku me 15 rajone të tjera franceze.
Rajoni i Ballkanit, po ashtu, është përfshirë nga temperaturat e larta. Dino Zardi, profesor në Universitetin e Trentos dhe president i shoqatës italiane të shkencave atmosferike dhe metereologjisë, thotë se qytetet janë kthyer në kurthe të tmerrshme të nxehti ekstrem, sa më të mëdha që të jenë, aq më vapë bëhet.
“Fatkeqësisht, nxehtësia vret; dhe nëse është e vërtetë që krahasuar me epokën para-industriale temperatura është rritur tashmë me 1.5-2 gradë, nëse nuk bëjmë asgjë për reduktimin e gazeve serrë, deri në fund të shekullit do të kemi një rritje deri në 4-5 gradë, që do të thotë se mund të arrijmë deri në 50 gradë. Me fjalë të tjera, kushte që nuk janë më të jetueshme”, paralajmëron eksperti.
Top Channel