
Universiteti i Pensilvanisë ka rënë dakord të përjashtojë atletët transgjinorë nga ekipet e tij sportive të vajzave, në kuadër të një marrëveshjeje të arritur me qeverinë federale të SHBA-së, pas një çështjeje të hapur për të drejtat civile.
Vendimi shënon fundin e një beteje ligjore të nisur nga Lia Thomas, një ish-notare 26-vjeçare që doli hapur si transgjinore në vitin 2018 dhe garoi në kategorinë e grave pas trajtimit hormonal. Ajo fitoi Kampionatin Amerikan të Kolegjit në vitin 2022 dhe mban ende tre rekorde në not (100 m, 200 m dhe 500 m stil i lirë).
Në një deklaratë zyrtare, Presidenti i Universitetit, Larry Jameson, tha: “Do të shqyrtojmë dhe përditësojmë rekordet e notit të femrave në Penn për t’i përshtatur me rregullat aktuale të përshtatshmërisë.”
Ai shtoi se universiteti është i vetëdijshëm për ndikimin që politika e mëparshme ka pasur në konkurrencën sportive: “I kërkojmë ndjesë kujtdo që ka qenë në disavantazh ose ka përjetuar ankth si pasojë e këtyre rregullave.”
Vendimi i universitetit vjen pasi Departamenti Amerikan i Arsimit konstatoi se lejimi i Thomas të garonte në garat e grave përbënte shkelje të Titullit IX, një ligj federal që ndalon diskriminimin gjinor në programet arsimore dhe sportive.
Më parë, në mars, administrata e Donald Trump ndërpreu 175 milionë dollarë fonde federale për universitetin dhe nënshkroi një dekret që ndalonte atletët transgjinorë të merrnin pjesë në sportet e grave në institucionet arsimore.
Në qershor 2022, Federata Ndërkombëtare e Notit (FINA) vendosi që atletët transgjinorë do të lejoheshin të garonin vetëm nëse nuk kishin kaluar pubertetin mashkullor. Ky vendim u konfirmua në vitin 2024 nga Gjykata e Arbitrazhit për Sportin (CAS).
Top Channel