
Problemi në nënstacionin elektrik që shkaktoi zjarrin dhe çoi në mbylljen e Aeroportit Heathrow në fillim të këtij viti u zbulua shtatë vjet më parë, sipas një raporti të ri.
Hetimi zbulon se National Grid, e cila zotëron nënstacionin, e dinte për defektin që në vitin 2018, por nuk ndërmori veprime.
Raporti dokumenton mundësi të përsëritura për të rregulluar dobësitë, por mirëmbajtja u shty vazhdimisht. Rregullatori i energjisë Ofgem tha se po niste një hetim ndaj National Grid, duke i përshkruar gjetjet si “thellësisht shqetësuese”, siç tha Sekretari i Energjisë, Ed Miliband.
Operatori i Sistemit Kombëtar të Energjisë (Neso) ka zbuluar se lagështia ka hyrë në komponentët elektrikë në nënstacionin North Hyde, i cili furnizon aeroportin më të madh të Britanisë. Siç u tha nw raport, nivele të larta lagështie u zbuluan që në korrik të vitit 2018, një tregues që sipas udhëzimeve të National Grid, tregon “rrezik të afërt të dështimit dhe nevojën për të zëvendësuar ndërprerësin”.
Megjithatë, defekti mbeti i pazgjidhur dhe madje një mirëmbajtje e madhe e planifikuar për vitin 2022 u shty.
Zjarri që shpërtheu në nënstacion më 20 mars shkaktoi një ndërprerje të gjerë të energjisë elektrike, duke bërë që Heathrow të pezullonte operacionet dhe duke prekur më shumë se 270,000 pasagjerë. Pasojat u ndjenë përtej aeroportit, pasi shërbimet kritike si transporti rrugor dhe hekurudhor, si dhe Spitali Hillingdon, u prekën nga incidenti.
Ndërprerja e energjisë elektrike ka ngritur pyetje më të gjera në lidhje me qëndrueshmërinë e infrastrukturës kritike të vendit. Drejtori ekzekutiv i Neso, Fintan Slye, i tha BBC-së se ndërsa raporti “nuk kërkon të ndajë fajin”, National Grid kishte detyrën të mirëmbante pajisjet e tij.
“Kur u zbuluan nivelet e larta të lagështisë në vitin 2018, ata duhet ta kishin nxjerrë transformatorin nga shërbimi përkohësisht dhe ta kishin riparuar defektin. Kjo nuk u bë. Lagështia u përkeqësua dhe përfundimisht shkaktoi zjarrin. Në thelb, raporti është një histori e mundësive të humbura”, tha ai.
Pas njoftimit të hetimit të National Grid, Akshay Kaul, drejtori i përgjithshëm i infrastrukturës në Ofgem, tha se priste që kompanitë e energjisë të “mirëmbanin siç duhet pajisjet dhe rrjetet e tyre për të shmangur incidente të tilla” dhe theksoi se kur ka prova se nuk e kanë bërë këtë, do të ndërmerren veprime dhe ato do të mbahen plotësisht përgjegjëse.
Nga ana e saj, National Grid siguroi se ka një “program gjithëpërfshirës inspektimi dhe mirëmbajtjeje” dhe se ka marrë “masa shtesë pas zjarrit”, siç është ritestimi i qëndrueshmërisë së nënstacioneve që furnizojnë infrastrukturën strategjike. Gjithashtu tha se do të bashkëpunonte plotësisht me hetimin e Ofgem.
Slye gjithashtu theksoi se, përveç dëmtimit të nënstacionit, kishte “mundësi të humbura” në Heathrow për të forcuar qëndrueshmërinë e tij energjetike, por edhe në përgjithësi në të gjithë industrinë e energjisë për të kuptuar më mirë rëndësinë e infrastrukturës.
Raporti zbulon gjithashtu se “kompanitë e energjisë nuk ishin në dijeni” se humbja e njërës prej tre pikave të energjisë në Heathrow do të çonte në një ndërprerje të energjisë në sistemet kryesore në aeroport.
“Rishikimi zbuloi gjithashtu se operatorët e rrjetit në përgjithësi nuk janë të vetëdijshëm se cilët nga klientët e tyre janë infrastrukturë kritike kombëtare”, shkruhej në raport.
Menaxhmenti i Heathrow e mirëpriti raportin, duke i kërkuar National Grid të shqyrtojë “se çfarë hapash duhet të ndërmerren për të siguruar që kjo të mos ndodhë më kurrë”.
“Një kombinim i rregulloreve të vjetruara, mekanizmave të pamjaftueshëm të sigurisë dhe dështimit të National Grid për të mirëmbajtur infrastrukturën e saj çoi në këtë ndërprerje katastrofike të energjisë elektrike”, tha një zëdhënës i aeroportit.
Drejtori ekzekutiv i Komisionit të Linjave Ajrore të Heathrow, Nigel Wicking, i zbuloi BBC-së se ndërprerja e energjisë u kushtoi linjave ajrore midis 80 dhe 100 milionë paund.
Top Channel