Trump pret Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë, zbulohet data e takimit mes dy liderëve! Fokus te armëpushimi në Gaza dhe marrëveshja për pengjet

01/07/2025 11:14

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, do të presë të hënën e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu, në një përpjekje të re për të ndërmjetësuar një armëpushim në Gaza dhe një marrëveshje për lirimin e pengjeve.

Lajmi u konfirmua nga dy zyrtarë të administratës amerikane, të cilët folën në kushte anonimiteti, pasi nuk ishin të autorizuar të komentonin publikisht.

Vizita do të jetë e treta e Netanyahut në Uashington që nga rikthimi i Trump në detyrë në janar, dhe vjen në një moment kur tensionet rajonale janë të larta, pas ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së në konfliktin mes Izraelit dhe Iranit, që përfshiu edhe sulme ndaj centraleve bërthamore iraniane. Pas ndërmjetësimit të një armëpushimi mes dy fuqive, vëmendja e presidentit amerikan është kthyer tani tek lufta në Gaza.

Duke folur për gazetarët të premten, Trump u shpreh me optimizëm se “mendojmë se brenda javës së ardhshme do të arrijmë një armëpushim në Gaza”, megjithëse nuk dha detaje konkrete për bazën e këtij parashikimi.

Ndërkohë, sekretarja e shtypit e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, konfirmoi se administrata është në komunikim të vazhdueshëm me udhëheqjen izraelite, dhe se përfundimi i konfliktit mbetet një nga prioritetet kryesore të presidentit.

“Është zemërthyes të shohësh imazhet që kanë dalë nga Izraeli dhe Gaza gjatë gjithë kësaj lufte, dhe presidenti dëshiron që ajo të marrë fund. Ai dëshiron të shpëtojë jetë,” – u shpreh Leavitt.

Në prag të takimit presidencial, ministri izraelit për Çështjet Strategjike, Ron Dermer, ndodhet në Uashington këtë javë për të zhvilluar bisedime intensive me zyrtarë të lartë amerikanë, duke përfshirë çështje si: marrëveshjen e mundshme për armëpushim në Gaza, situatën me Iranin pas përshkallëzimit ushtarak dhe të ardhmen politike dhe humanitare të Rripit të Gazës.

Takimi i ardhshëm Trump–Netanyahu pritet të jetë vendimtar për ecurinë e përpjekjeve diplomatike amerikane në rajon dhe një sinjal i qartë për përfshirjen aktive të SHBA-së në drejtimin e krizës izraelito-palestineze.

Top Channel