Tronditje në Gjermani, një i vdekur dhe dy të plagosur rëndë pas një sulmi me thikë në një kompani energjetike

01/07/2025 10:16

Një ngjarje e rëndë tronditi Bavarinë të hënën, kur një 21-vjeçar gjerman sulmoi disa punonjës të një kompanie energjetike në qytetin Mellrichstadt, duke vrarë një person dhe duke plagosur rëndë dy të tjerë.

Sipas njoftimeve zyrtare nga policia gjermane, autori i dyshuar është arrestuar dhe ndodhet në paraburgim. Autoritetet e përshkruan armën e përdorur si një “objekt të mprehtë”, pa dhënë më shumë detaje mbi natyrën e mjetit të sulmit. Policia theksoi se nuk ka rrezik për publikun dhe situata është nën kontroll.

Sulmi ndodhi në ambientet e kompanisë Überlandwerk Rhön, një operator rajonal i rrjetit të energjisë elektrike në zonën e Bavarisë së Poshtme. Aktualisht nuk dihet nëse autori kishte ndonjë lidhje me kompaninë apo cilat ishin motivet e mundshme të këtij akti brutal.

Hetimet janë në zhvillim, ndërsa autoritetet pritet të zbulojnë më shumë detaje në orët dhe ditët në vijim. Policia ka bërë thirrje për qetësi dhe është duke mbledhur prova për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.

Top Channel