Dy 27-vjeçarë nga Tirana dëshirën për të pasur makina luksoze dhe për të frekuentuar jetën e natës e plotësuan duke u marrë me aktivitete të paligjshme duke furnizuar me kokainë shpërndarësit e drogës në zonën e ish bllokut, aktivitet të cilin e kryenin prej më shumë se një viti.

Por kjo aventurë përfundoi pasi ata u vunë në pranga dhe rrezikojnë deri në 15 vite burgim.

Policia e Tiranës kishte 3 muaj që ishte vënë nga pas Renaldo Spahiut dhe Braild Agës në emrat e të cilëve mbërriti pas thellimit të hetimit pas identifikimit të 42 shpërndarësve të kokainës në zonën e ish bllokut.

Dy 27 vjeçarët u kapën në flagrancë, teksa lëviznin me një automjet luksoz në aksin rrugor “Ura e Beshirit – Pezë”. Gjatë kontrolleve fizike, në automjet dhe në banesa, atyre iu gjetën në total 1.2 kg Kokainë, që dyshohet se do t’iu jepej shpërndarësve të drogës në zonat “Tiranë e Re”, “Kombinat” dhe në Selitë.

Polica sekuestroi po ashtu edhe automjetin e tyre si edhe celularët, që pritet të zgjerojnë më shumë rrjetën e të arrestuarve.

Top Channel