Një vit pa Ismail Kadarenë! Gjeniu i letrave nderohet nga Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë

01/07/2025 15:29

Në 1 korrikun e një viti më parë, mbylli sytë shkrimtari, akademiku, kandidati i çmimit Nobel në letërsi, Ismail Kadare.

“Korriku i këtij viti erdhi ço aq i nxehtë sa dita që iku Kadare. Nëse ka diçka që nuk mund të përfytyroheshin pranë njëra tjetrës ishte moti i nxehtë dhe emri i tij. Shkrimtari që në veprën e tij përshkruan shiun, borën, acarin, kjo vapë u kujtonte një kontinent tjetër”, u shpreh botuesi Bujar Hudhri.

Në një ceremoni të organizuar nga Akademia e Shkencave dhe Kuvendi i Shqipërisë, u përkujtua vepra e gjeniut të letrave shqipe, që kapërceu kufijtë e Shqipërisë që nga koha kur vendi ishte në izolim total, duke u bërë pjesë e bibliotekave botërore.

Drejtuesi i Bibliotekës Kombëtare, Piro Misha tha: “Para Kadaresë, letërsia shqipe ishte thuaje e panjohur. Fenomeni Kadare mendoj se më shumë se produkt i natyrshëm i evoluimit të një letërsie të kultivuar”.

“Një personazh i njërit prej romaneve të tij tragjikë do të thoshte me qetësi: “Erdha të flas, jo të lavdëroj Ismail Kadarenë.” Sepse Kadareja nuk ka nevojë për lavdërime. Ai ishte dhe mbetet vetë lavdia. Në jetën e tij, si në krijimtarinë e tij, ai nuk kërkoi zbukurime , ishte perbuztar ndaj tyre! I qetë në vetmi, i rezervuar në publik, por përherë i gjallë në fjalë, Kadare mbetet simbol i dinjitetit, i mendimit të pavarur dhe i një përpjekjeje të jashtëzakonshme për të shpëtuar qenien shqiptare përmes letërsisë”, tha kryeparlamentarja Spiropali.

Kadare u shndërrua në pasaportën e Shqipërisë atëherë kur vetë Shqipëria ishte brenda kafazit të izolimit, ishte dallga e qytetërimit të një Shqipërie të mbytur nën duhmën orientale të gjirokastritit tjetër të Sokakut të të Marrëve, si një shpagë që qyteti i gurtë ia ofronte vendin nga dy skajet e të mirës dhe të keqes. Si për t’i kthyer vetë qytetit borxhin për të gjithë vendin.

E përmallur nga humbja e njeriut të zemrës, Helena Kadare kujtoi misionin e shkrimtarit për liri, barazi e zhvillim…: “Kadare është një shkrimtar që ngriti metaforën e tij në nivelin e frymëmarrjes kombëtare. Ashtu siç mbijetuan shqiptarët dhe Shqipëria, mbijetoi edhe Ismaili”.

Një monument të pazëvendësueshëm për kulturën shqiptare e cilësuan akademikët Kadarenë, që në 7 dekada krijimtari, u bë busull e përcaktimit europian të Shqipërisë, avokati më me influencë i pranimit të Shqipërisë në familjen europiane.

Top Channel