
Pas eliminimit befasues të Interit nga Botërori i Klubeve, ku u mposht në fazën e 1/16-ave nga Fluminense, kapiteni Lautaro Martínez ka dhënë një deklaratë të fortë që ka trazuar ambientin zikaltër.
“I dua titujt e mëdhenj”, tha Lautaro për mediat. “Kush do të qëndrojë te Inter, shumë mirë – le të luftojmë. Kush nuk do të qëndrojë, mund të largohet. Kemi nevojë për lojtarë që duan të jenë këtu. Jemi duke veshur një fanellë të rëndësishme. Na duhet mentalitet i lartë – përndryshe, ju lutem, largohuni.”
Deklarata e argjentinasit u interpretua si një sinjal i qartë ndaj disa lojtarëve që dyshohet se janë në bisedime për largim. Presidenti i Interit, Giuseppe Marotta, e konkretizoi këtë aludim.
“Mesazhi i Lautaros për ata që nuk duan të qëndrojnë? Ai nuk e tha… por po e them unë. Ishte për Hakan Çalhanoglun”, tha Marotta. “Do të flasim me Hakan. Nëse do të ketë kushte për të ndarë rrugët, do ta bëjmë pa asnjë problem.”
Çalhanoglu, i cili ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Interit në sezonet e fundit, është lidhur me një transferim të mundshëm jashtë Serie A, përfshirë interesin e fort të Galatasaray.
Tensionet brenda skuadrës duket se po shtohen, teksa Interi synon të ruajë qëndrueshmërinë dhe të rikthehet fuqishëm në garat kombëtare dhe ndërkombëtare pas zhgënjimit në turneun ndërkombëtar.
Top Channel