I kërkuar nga SPAK për trafikimin e një ton kanabisi drejt Italisë, arrestohet në Francë 50-vjeçari

01/07/2025 14:48

Një tjetër goditje e rëndësishme ndaj krimit të organizuar është shënuar në kuadër të bashkëpunimit ndërkombëtar mes Policisë së Shtetit dhe partnerëve europianë.

Policia franceze ka arrestuar në Paris shtetasin shqiptar P. D., 50 vjeç, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga SPAK për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim parash, vepra penale të kryera në kuadër të një organizate kriminale ndërkombëtare.

Kapja e tij u bë e mundur falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit dhe Interpol Tiranës, me homologët në Francë, si pjesë e operacionit të përbashkët “The Wanted”.

Sipas hetimeve të kryera nga SPAK dhe Gjykata e Posaçme, 50-vjeçari dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë shqiptarë dhe italianë, ka tentuar të trafikojë 1 ton e 16 kilogramë Cannabis Sativa, të kultivuar në Shqipëri dhe të transportuar përmes rrugës detare drejt Italisë.

Sasia e madhe e drogës u sekuestrua nga autoritetet italiane në qytetin e Barit, ku gjithashtu u arrestuan edhe 2 persona të tjerë, pjesë e të njëjtës organizatë kriminale.

Për P. D. është caktuar masa e sigurisë “Arrest në burg” nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.

Interpol Tirana dhe autoritetet franceze po punojnë për finalizimin e procedurave ligjore për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë, ku do të përballet me drejtësinë.

Top Channel