
Erion Veliaj, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, është mbajtur në paraburgim prej 5 muajsh pa u ngritur akuza, ndërsa po hetohet nga SPAK.
Ai u arrestua nga Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (“SPAK”) në shkurt, pas akuzave (të cilat ai i mohon) për korrupsion.
Deri më sot nuk i është paraqitur ndonjë provë dhe nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare ndaj tij. Megjithatë, ai ka qëndruar në paraburgim gjatë gjithë kësaj kohe. Atij i është mohuar edhe e drejta për vizitë nga ekipi i tij ndërkombëtar ligjor (Mishcon de Reya dhe Kasowitz).
Vendimi për vazhdimin e paraburgimit të tij është miratuar nga gjykata e SPAK-ut pa një vlerësim real nëse paraburgimi i mëtejshëm është i nevojshëm, proporcional apo i arsyeshëm, dhe pa marrë në konsideratë seriozisht alternativa të tjera përveç paraburgimit. Edhe pse Erioni dhe familja e tij mbështesin misionin e SPAK-ut, paraburgimi i tij i vazhdueshëm pasqyron një prirje shqetësuese më të madhe në Shqipëri: 60% e të burgosurve ndodhen në paraburgim.
Eureporter ka publikuar gjithashtu një letër të hapur nga nëna e tij:
Pse Europa po mbyll sytë ndaj një shkeljeje të qartë të vetë vlerave mbi të cilat është ndërtuar BE-ja?
Nga Shqiponja Veliaj, nëna e Erion Veliajt, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës
“Pak më shumë se katër muaj më parë, familja ime u përfshi papritur në një makth kafkian. Në një ditë të zakonshme në shkurt, djali im, Erioni, tre herë i zgjedhur Kryetar i Bashkisë së Tiranës, i cili ka bërë aq shumë për të rigjallëruar kryeqytetin, u arrestua nga SPAK-u, institucioni i pavarur antikorrupsion. Arrestimi u bë në bazë të disa akuzave anonime drejtuar policisë nga një person fiktiv, gati dy vite më parë. Akuza që djali im i mohon kategorikisht.
Që nga ajo ditë, ai është mbajtur në izolim pothuajse të plotë, pa u ngritur asnjë akuzë ndaj tij. I është mohuar qasja te avokatët e tij ndërkombëtarë dhe ndalimi i tij e pengon të përmbushë detyrimet që rrjedhin nga mandati që qytetarët e Tiranës i kanë dhënë me votë.
Është e rëndësishme të shqyrtojmë edhe kontekstin më të gjerë. Shqipëria është në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, ndoshta që në vitin 2030. Si një shqiptare krenare, kjo është shumë e rëndësishme për të gjithë ne. Do të sjellë më shumë mirëqenie për vendin tonë dhe do të hapë dyer për turizëm dhe vende pune. Gjithashtu do të sjellë stabilitet dhe bashkëpunim më të thelluar në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.
Një nga pengesat më të mëdha drejt anëtarësimit është respektimi i shtetit të së drejtës dhe lufta kundër korrupsionit. Nuk është sekret që Shqipëria ka ende shumë për të përmirësuar në këtë drejtim. Kam parë vendin tim të dalë nga komunizmi, një kohë kur njerëzit zhdukeshin nga policia e shtetit dhe jetonin me frikë.
Roli i SPAK-ut ka qenë thelbësor në luftën kundër korrupsionit, në zbatimin e reformës në drejtësi dhe përmirësimin e sistemit gjyqësor. Por tani duket se po ushtron pushtet të gjerë me mbikëqyrje të kufizuar. Familja ime e mbështet plotësisht nevojën për të hetuar çdo dyshim për abuzim. Korrupsioni në Shqipëri duhet luftuar me forcë, dhe institucionet që kanë këtë mision duhet të jenë të fuqizuara për ta përmbushur. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin, as djali im, as ndonjë zyrtar tjetër publik. Por po ashtu, askush nuk duhet të mbahet i ndaluar pa akuza, pa proces të rregullt ligjor, pa transparencë dhe pa qasje te mbrojtja ligjore.
Pse po heshtin institucionet e BE-së dhe vendet anëtare ndërkohë që një nga figurat më të dukshme të politikës së zgjedhur shqiptare mbahet në paraburgim pa akuza, ndoshta në kundërshtim me Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut (KEDNJ)?
Familja ime po vuan shumë nga kjo situatë. Por nuk jemi të vetmit. Kjo praktikë “arresto tani dhe grumbullo prova më vonë” ka ndodhur edhe me Thoma Gëllçin, për të cilin KEDNJ e cilësoi paraburgimin e tij si të paligjshëm. Mijëra shqiptarë mbahen në paraburgim dhe përqindja e të paraburgosurve në Shqipëri është shumë më e lartë se mesatarja evropiane. Disa njerëz mbahen me vite. Kjo karakteristikë e sistemit tonë gjyqësor shkatërron jetë dhe karriera. Organet e antikorrupsionit duhet të veprojnë me standardet më të larta hetimore, duke shmangur arrestime spektakolare që më vonë mund të shpallen të paligjshme në gjykata më të larta nëse nuk është respektuar procesi i rregullt ligjor.
Kjo nuk është reforma që kemi pritur. SPAK ka arritur përparim të vërtetë, por ai përparim duhet të matet jo vetëm me numrin e arrestimeve, por edhe me gjykime të drejta, gjykata të pavarura dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
Avokati dhe aktivisti i njohur shqiptar për të drejtat civile, Dorian Matlia, e tha troç: “Në Shqipëri të fusin në burg më parë dhe pastaj mbledhin provat.” Sistemi i mbyll njerëzit në burg dhe më pas e arsyeton vendimin me prova të dyshimta. Nëse provat nuk mjaftojnë, gjykatat shpallin fajësi për të justifikuar muajt e ndalimit.
Liderët evropianë nuk duhet të qëndrojnë në heshtje vetëm sepse në letër, rrëfimi i përparimit të Shqipërisë duket i mirë.
Mund të krijohen institucione, mund të shkruhen ligje, por ato duhet të zbatohen drejt. Në këtë rast, procesi i rregullt ligjor po injorohet. Të drejtat po shkelën. Dhe besueshmëria e sistemit tonë të drejtësisë është në rrezik.
Kjo nuk ka të bëjë me mbrojtjen e djalit tim nga përgjegjësia. Ai është vetëm një nga shumë individët që ndodhen nën efektin e këtij problemi sistemik në Shqipëri. Ka të bëjë me mbrojtjen e parimeve themelore që mbështesin demokracinë – përfshirë prezumimin e pafajësisë, të drejtën për liri, detyrimin për të ngritur ose jo akuza dhe trajtimin njerëzor të të gjithë të ndaluarve, pa dallim politik.
Si qytetare shqiptare dua të shoh vendin tim të veprojë drejt për të gjithë njerëzit e tij. Si nënë e Erionit, dua të di që ai do të trajtohet me dinjitet.”
Top Channel