
Marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe Rusisë kanë hyrë në një fazë të re tensioni, pas vdekjes së dy vëllezërve azerbajxhanas në paraburgim rus.
Ngjarja ka ngjallur zemërim në Baku dhe ka thelluar përplasjet mes dy vendeve, në një kohë kur Azerbajxhani po sfidon gjithnjë e më shumë rolin dominues të Moskës në Kaukazin Jugor.
Zyrtarët në Baku deklaruan se trupat e vëllezërve Ziyaddin dhe Guseyn Safarov, të ndaluar në qytetin Jekaterinburg nga policia ruse në kuadër të një hetimi për vrasje të ndodhura që në vitin 2001, tregonin shenja të rënda dhune. Autopsia e kryer në Azerbajxhan konfirmoi se ata kishin ndërruar jetë si pasojë e traumës së rëndë fizike.
Prokuroria e Përgjithshme e Azerbajxhanit ka hapur një hetim penal ndaj autoriteteve ruse, duke i akuzuar për torturë dhe vrasje të qëllimshme të dy vëllezërve.
Përgjigja nga Rusia ka qenë e rezervuar – një nga të ndaluarit pretendohet se ka vdekur nga një atak kardiak, ndërsa shkaku i vdekjes së tjetrit ende nuk është sqaruar.
Tensionet diplomatike janë intensifikuar edhe më tej pas arrestimit të dy punonjësve të mediave shtetërore ruse në Baku, të cilët autoritetet i akuzojnë si agjentë të shërbimit sekret rus, FSB. Baku gjithashtu anuloi vizitën e zv.kryeministrit rus, Alexei Overchuk, dhe ndaloi koncertet e artistëve rusë në vend.
Kjo përplasje vjen pas një incidenti tjetër serioz në dhjetor të vitit të kaluar, kur një avion i linjës ajrore azerbajxhanase u rrëzua si pasojë e një rakete të lëshuar gabimisht nga Rusia, duke shkaktuar vdekjen e 38 personave. Presidenti Ilham Aliyev kishte kërkuar atëherë një pranim të plotë të përgjegjësisë nga Kremlini, por reagimi i Putinit nuk u konsiderua i mjaftueshëm.
Ndërkohë, media proqeveritare azerbajxhanase ka akuzuar ashpër Putinin, duke e krahasuar sundimin e tij me atë të diktatorit sovjetik Josef Stalin.
Që nga shpërbërja e Bashkimit Sovjetik, Azerbajxhani ka ndjekur një kurs të pavarur nga Moska, duke zhvilluar marrëdhënie me Perëndimin dhe duke investuar në sektorin energjetik. Megjithëse një kohë ka pasur bashkëpunim me Putinin, sidomos gjatë presidencës së Aliyevit, zhvillimet e fundit kanë sjellë një përmbysje të balancave në rajon.
Sipas analistëve, Baku po tregon se nuk është më e gatshme të qëndrojë pasive ndaj veprimeve të Moskës, veçanërisht kur interesat e saj kombëtare janë në rrezik.
Top Channel