
Valët ekstreme të të nxehtit që po përfshijnë pjesë të mëdha të Evropës kanë detyruar autoritetet në më shumë se gjysmën e rajoneve italiane të ndalojnë punën në natyrë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, për të mbrojtur jetën dhe shëndetin e punonjësve.
Masa e pazakontë vjen mes një vale rekord të temperaturave, që ka goditur më herët Spanjën dhe Portugalinë, dhe që tani është përhapur edhe në Francë, Itali dhe Turqi.
Autoritetet italiane konfirmojnë se puna në ambiente të hapura është ndaluar nga ora 12:30 deri në 16:00 në 13 rajone, përfshirë Lombardinë dhe Emilia-Romagna, dy nga qendrat më të mëdha industriale të vendit. Vendime të ngjashme janë marrë edhe në Liguri, Kalabri, Siçili dhe rajone të tjera.
Të paktën tre të vdekur nga nxehtësia ekstreme
Të paktën tre persona kanë humbur jetën si pasojë e temperaturave ekstreme. Një i mitur dyshohet se ka vdekur nga i nxehtt, pasi u la brenda një makine në provincën Tarragona të Katalonjës në Spanjë.
Në Palermo të Siçilisë, një grua 53-vjeçare humbi jetën pasi i ra të fikët në rrugë. Ndërkohë, në një resort pranë Torinos, një burrë 70-vjeçar u mbyt teksa po notonte, në një situatë ku nxehtësia ekstreme u pasua menjëherë nga stuhi dhe përmbytje të befasishme.
Rriten urgjencat spitalore dhe mbyllen shkolla
Pranimet në spitalet italiane janë rritur me 15-20% në ditët e fundit, kryesisht për shkak të dehidratimit tek të moshuarit. Mjekët bëjnë thirrje për kujdes të shtuar dhe shmangie të ekspozimit në diell.
Ndërkohë, në Francë, disa shkolla janë mbyllur, pasi sindikatat paralajmëruan se klasat janë bërë “të rrezikshme për fëmijët dhe mësuesit” për shkak të temperaturave të larta.
Top Channel