6 miliardë euro, BE konfirmon në Shkup mbështetjen për Ballkanin Perëndimor! Kos-Ramës: Mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë

01/07/2025 11:30

Të mbledhur në Shkup me komisioneren europiane të zgjerimit, Marta Kos, liderët e Ballkanit Perëndimor diskutojnë me zyrtaren e lartë të bllokut Planin e BE-së për Rritjen në rajon.

Në takimin me Komisioneren e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, marrin pjesë kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, të Bosnjës dhe Hercegovinës, të Kosovës, të Malit të Zi, të Serbisë dhe të Shqipërisë.

Në kuadër të takimit mbahen edhe dy panele. I pari do t’i kushtohet Planit të Rritjes së Ballkanit Perëndimor, kurse i dyti do t’u kushtohet mekanizmave specifikë dhe mbështetjes për zbatimin e Planit të Rritjes. Evropa nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor, deklaroi Kos në fjalën hyrëse.

Për herë të parë në historinë e Europës, nëse e zhvillojmë bëjmë siç duhet procesin e zgjerimit, mund të arrijmë një bashkimin e Europes tonë – dhe një Europë nuk mund të jetë e bashkuar pa Ballkanin Perëndimor.

Dua të jem shumë e qartë: sot ekziston një konsensus i qartë në favor të zgjerimit. Kjo nuk ka qenë gjithmonë kështu në të kaluarën, por dritarja e kësaj mundësie nuk do të qëndrojë aty përgjithmonë.

Jemi dëshmitarë të një progresi të dukshëm. Shqipëria, i nderuar Kryeministër Edi Rama, ka hapur tre grupkapituj gjatë gjashtë muajve të fundit. Ju falënderoj për rolin dhe kontributin tuaj në suksesin e këtij procesi të zgjerimit. Nëse vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, mund të arrijmë të hapim të gjithë grupkapitujt brenda këtij viti. Dhe, siç ju thashë edhe dje, mezi pres që të festojmë së bashku hapjen e grupkapitullit të fundit në vjeshtë”-u shpreh Marta Kos, Komisionere e zgjerimit të BE.

Plani i Rritjes është plotësisht në duart tuaja, shtoi Kos, e cila nënvizoi se kjo paketë është një mjet për të ndihmuar me reformat e rëndësishme, të cilat janë të domosdoshme edhe për t’ju përgatitur për anëtarësim. Njëkohësisht, ky plan ju mundëson që qytetarët dhe bizneset tuaja të përfitojnë nga tregu unik i BE-së, në kushte të barabarta me vendet anëtare. Dhe kjo, tani – jo në një të ardhme të largët”, theksoi ajo. Plani i Rritjes parashikon mbështetje financiare prej gjashtë miliardë eurosh, nga të cilat dy miliardë janë grante dhe katër miliardë kredi të buta të ofruara nga BE-ja për reforma dhe investime në fusha si energjia, transporti dhe transformimi digjital me qëllim që të rritet prosperiteti dhe stabiliteti në rajon.

Plani bazohet në katër shtylla: forcimi i integrimit ekonomik në tregun e njësuar të BE-së; forcimi i integrimit ekonomik brenda Ballkanit Perëndimor përmes tregut të përbashkët rajonal; përshpejtimi i reformave thelbësore dhe rritja e asistencës financiare për të ndihmuar reformat. Në qendër të vëmendjes të samiti të Shkupit janë reformat kyç për të “zhbllokuar” ndarjen e fondeve nga Plani i Rritjes, të cilat sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e shteteve kandidate për anëtarësim në BE para pranimit të tyre në BE. Komisionerja Kos përshëndeti në takim agjendën e reformave të qeverisë së Shkupit dhe konfirmoi mbështetjen e Komisionit Evropian për progresin e rajonit në rrugën europiane.

Top Channel