
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky i ka kërkuar Gjermanisë të dërgojë sisteme shtesë mbrojtëse ajrore Iris-T, për të përballuar sulmet e ashpra me raketa dhe dronë nga Rusia.
Ai bëri këtë kërkesë gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm gjerman, Johann Wadephul, në Kiev.
Kjo ishte vizita e parë e Wadephulit në kryeqytetin ukrainas që nga marrja e detyrës së tij në fillim të majit.
Gjatë vizitës, ai inspektoi një nga sistemet Iris-T që Gjermania i ka dhuruar Ukrainës në prill, kur u dorëzuan gjashtë njësi, ndërsa premtuan edhe 10 të tjera.
Në takimin me Wadephulin, Zelensky theksoi interesin për zgjerimin e bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes midis dy vendeve, duke njoftuar se në ditët në vijim mund të përfundojnë deri në 20 marrëveshje të reja partneriteti.
Ministri gjerman e përshkroi situatën si një mundësi pozitive për të dyja palët, duke theksuar se kompanitë gjermane të mbrojtjes janë tashmë aktive në Ukrainë, ndërsa kompanitë ukrainase operojnë në Gjermani. Ai shtoi se kjo përvojë e përbashkët ndihmon të dyja vendet dhe tregon se siguria është e ndërlidhur, duke sjellë edhe përfitime ekonomike.
Top Channel