Turizëm buzë liqenit/ Fshatrat afër Prespës së Madhe, plazhe të reja, aventurë dhe sporte ujore

30/06/2025 12:21

Për fshatrat që shtrihen buzë liqenit të Prespës së Madhe, oferta turistike po pasurohet çdo vit e më shumë.

Këto zona ofrojnë një përzierje të rrallë natyre dhe kulture që nga peizazhi mahnitës e ende pak i eksploruar, ishulli i Maligradit, kishat heremite e deri te kulinaria vendase dhe mikpritja karakteristike.

Risia e këtij sezoni është plazhi i ri publik në fshatin Zaroshkë, i pajisur me infrastrukturë të përshtatshme për pushuesit. Ky investim i Bashkisë së Pustecit e kthen këtë zonë në një prej destinacioneve më të bukura të juglindjes së vendit.

Për kryetarin e Bashkisë së Pustecit, Pali Kolevski, ky sezon veror shoqërohet me pritshmëri të larta, veçanërisht nga turistët e huaj që kërkojnë përvoja ndryshe buzë liqenit të Prespës.

Bashkia e Pustecit mbetet një destinacion unik për turizmin e aventurës dhe sportet ujore. Pushuesit mund të bëjnë kamping, të vozisin me kajak apo thjesht të shijojnë natyrën e paprekur që ofron kjo zonë.

Me investimet e reja dhe bukuritë natyrore që ofron, Prespa e Madhe po kthehet gjithnjë e më shumë në një destinacion të preferuar për turistët që kërkojnë qetësi, dhe përvoja të veçanta larg zhurmës së zakonshme të sezonit veror.

Top Channel