“Nuk ka dorëzim”/ Protestat në Serbi, flamur me hartën e Kosovës, hiqen barrikadat

30/06/2025 11:01

Ka nisur heqja e barrikadave dhe normalizimi i trafikut në Serbi, pasi mijëra protestues antiqeveritarë bllokuan orët e para të ditës së sotme rrugët në disa qytete serbe dhe kërkuan lirimin e protestuesve të cilët u ndaluan nga policia, teksa protestat po rrisin presionin ndaj presidentit populist, Aleksandar Vuçic.

Protestuesit, të udhëhequr nga studentët, vendosën barrikada metalike dhe kosha mbeturinash nëpër rrugët e Beogradit dhe bllokuan urën Gazela, që gjendet mbi lumin Sava.

Në Novi Sad- vendi ku lindi përpara tetë muajsh vala e protestave antiqeveritare- tubuesit rrethuan zyrat e Partisë Progresive Sebe (SNS) të Vuçiçit, duke goditur ndërtesën me vezë.

Ndërkohë, sipas REL, gjatë protestës në Beograd më herët ishte shpalosur edhe një flamur me hartën e Kosovës në ngjyrat e flamurit të Serbisë me mbishkrimin “Nuk ka dorëzim”!

Në 30 pika të Beogradit u ngritën barrikada, e veprime të ngjashme janë ndërmarrë edhe në të paktën 22 qytete të tjera serbe. Indinjata popullore shpërthye pasi zyrtarët policorë nisën të ndalonin pjesëmarrësit në tubimin masiv që u mbajt në Beograd më 28 qershor.

Vuçic deklaroi se agjencitë e zbatimit të ligjit pritet të kryejnë “shumë më tepër arrestime”. Turmat antiqeveritare u rikthyen në rrugë mbrëmjen e 29 qershorit, duke kërkuar lirimin e dhjetëra personave të ndaluar në natën e parë të protestës.

Në tetë muajt e fundit, mijëra serbë, shpesh të udhëhequr nga grupe studentore, të cilëve gjithnjë e më shumë po u bashkohen qytetarë të tjerë, kanë protestuar kundër Vuçiçit dhe Qeverisë së tij.

Në fundjavë, protestuesit iu rikthyen kërkesës për zgjedhje të parakohshme. Zgjedhjet parlamentare në Serbi pritet të mbahen në fund të vitit të ardhshëm, ndërsa mandati pesëvjeçar i Vuçiçit pritet të përfundojë më 2027.

Top Channel