Një hap drejt stabilizimit të qeverisë së re, Trump gati të lehtësojë Sirinë nga disa sanksione financiare

30/06/2025 21:14

Presidenti amerikan Donald Trump pritet të nënshkruajë një urdhër ekzekutiv që do të heqë disa nga sanksionet financiare ndaj Sirisë, në një përpjekje për të ndihmuar stabilizimin e vendit pas rrëzimit të Bashar al-Assad.

Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë bëri të ditur se SHBA-ja do të anulojë një deklaratë të vitit 2004, e cila kishte ngrirë pronat e qeverisë siriane dhe kishte kufizuar eksportet drejt Sirisë për shkak të programit të armëve kimike të Damaskut.

Megjithatë, disa sanksione do të mbeten në fuqi, përfshirë ato të vendosura nga Kongresi përmes ligjit Caesar Syria Civilian Protection Act të vitit 2019, që synojnë të kufizojnë financimin për rindërtimin dhe zhvillimin e gazit natyror, si dhe shpalljen e Sirisë si shtet sponsorizues të terrorizmit nga SHBA.

Sekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Karoline Leavitt, deklaroi gjatë një konference për media se urdhri do të heqë sanksionet ndaj Sirisë, por do të mbajë presion ndaj ish-presidentit Assad, bashkëpunëtorëve të tij, abuzuesve të të drejtave të njeriut, trafikantëve të drogës, personave të lidhur me aktivitetet e armëve kimike, ISIS-it dhe proxy-ve iraniane.

Ky lëvizje vjen pas takimit të shkurtër të Trump me liderin e ri sirian, Ahmed al-Sharaa, i cili udhëhoqi forcat që rrëzuan Assad në dhjetor. Al-Sharaa ka deklaruar se sanksionet kanë vështirësuar stabilizimin e qeverisë së tij tranzitore, duke sjellë probleme në pagesën e pagave të punonjësve civilë dhe financimin e rindërtimit. Në maj, Trump kishte premtuar heqjen e plotë të sanksioneve pas largimit të Assad nga pushteti.

Top Channel