Hetuesit gjejnë 381 trupa të braktisur në një krematorium privat në Meksikë

30/06/2025 08:41

Hetuesit kanë gjetur 381 trupa të braktisur në një krematorium privat në Ciudad Juarez, në veri të Meksikës, njoftoi të dielën zyra e prokurorit lokal, duke fajësuar shtëpinë funerale për neglizhencë.

“381 trupat u lanë në mënyrë të papërshtatshme në krematorium”, tha për AFP Eloy Garcia, një zëdhënës i zyrës së prokurorit të shtetit Chihuahua, ku përfshihet edhe Ciudad Juarez.

Sipas tij, të vdekurit u gjetën “në grumbuj” pa asnjë rregull në pjesë të ndryshme të ndërtesës ku vepron krematoriumi. Ata ishin “braktisur, pa dallim, njëri mbi tjetrin, në dysheme”, përshkroi z. Garcia.

Ai sqaroi se ata ishin balsamosur dhe, të paktën në teori, kishte një certifikatë vdekjeje për secilin.

Argumenti i prokurorisë për zbulimin makabër është se shumica e trupave ishin transportuar atje për kremim.

Por autoritetet vlerësojnë se disa prej tyre ishin braktisur për më shumë se dy vjet.

Eloy Garcia foli për “papërgjegjësinë” e pronarëve të krematoriumit.

Një nga menaxherët e tij është çuar para prokurorisë, e cila dëshiron që të ngrihen “akuza penale” kundër atyre që janë përgjegjës për situatën, tha zëdhënësi.

Autoritetet nuk kanë sqaruar nëse ata ishin viktima të krimit të organizuar apo jo.

Meksika, një vend i goditur rëndë nga aktiviteti i bandave, është përballur me një krizë në sistemin e saj mjeko-ligjor për vite me radhë, për shkak të numrit shumë të lartë të trupave te vdekur që duhen menaxhuar, mungesës së personelit të kualifikuar dhe kufizimeve buxhetore.

Top Channel