Gjyqi për dosjen “Partizani”/ “Panoramë e parë më herët”, gazetarja Hoxha flet për skenarët: Mund të kërkohet shtyrja e procesit për në vjeshtë

30/06/2025 21:21

Sali Berisha duhej të niste sot maratonën e gjykimit në GJKKO për dosjen “Partizani”, por nuk u paraqit me argumentimin se nuk ishte njoftuar.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, teksa ishte e ftuar në “Top Story”, zbardhi më shumë detaje nga procesi gjyqësor dhe nga dosja “Partizani”.

Ajo u shpreh se do duhet të presim datën 21 korrik për të parë nëse Berisha do të firmosë fletëthirrjen për t’u paraqitur në seancë. Sakaq u ndal te skenari i mundshëm, nëse avokatët dhe të pandehurit do duan të shtyjnë procesin për në vjeshtë.

Zgjati pak minuta procesi për shkak të mos marrjes së fletëthirrjes nga Berisha. Avokatja tha që ishte një kohë e shkurtër dhe s’ka pasur kohë të kontaktonte me klientin e saj. Kjo do të thotë që secili prej tyre duhet të firmosë fletëthirrjen.

Siç kuptohet, oficeri i policisë nuk kishte shënuar detaje të tjera. Duket si një rast i përsëritur, si një panoramë e parë më herët. Në rast se ndodh që procesi nis pa u vënë në dijeni i akuzuari hapen pretendime se drejtësia ka mbajtur një proces pa e vënë në dijeni të akuzuarin. Do ta shohim në 21 nëse Berisha do e firmosë fletëthirrjen.

Gjatë këtyre ditëve do duhet të tentohet përmes oficerëve të policisë Berishës ti jepet shkresa dhe të vihet në dijeni. Kështu duhet të ndodhë dhe me Jamarbër Malltezin dhe të tjerët.

Zonja Ulliri ka depozituar më datë 9 qershor, një kërkesë për dorëheqje. Burimet tregojnë që zonja ka kërkuar të largohet për shkak se një nga deputete demokrate është e afërmja e saj.

Për sa i përket taktikave, avokatët apo të pandehurit do fillojnë me taktikat e tyre nëse u intereson që procesi të mos vazhdojë tani në verë, por të hapet në vjeshtë”, tha ajo.

Top Channel