“Duam të normalizojmë marrëdhëniet me Sirinë dhe Libanin”, ministri i Jashtëm izraelit: Kërkojmë paqe në rajon

30/06/2025 13:51

Izraeli është i interesuar në normalizimin e marrëdhënieve të tij me Sirinë dhe Libanin, por në asnjë rrethanë nuk do të negociojë për Lartësitë e Golanit, tha ministri i Jashtëm Izraelit Gideon Saar gjatë një konference për shtyp nga Jerusalemi së bashku me homologen e tij austriake Beate Meinl-Reisinger.

“Izraeli është i interesuar në zgjerimin e ciklit të paqes dhe normalizimit të Marrëveshjeve të Abrahamit”, tha Saar, duke iu referuar marrëveshjeve të nënshkruara në vitin 2020 nga Izraeli me Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahreinin dhe Marokun nën kujdesin e Shteteve të Bashkuara.

“Ne kemi interes të shtojmë vende si Siria dhe Libani, fqinjët tanë, në ciklin e paqes dhe normalizimit, duke ruajtur interesat thelbësore të sigurisë së Izraelit”, shtoi ai. Megjithatë, Saar theksoi se Izraeli nuk ka ndërmend të braktisë Lartësitë Siriane të Golanit, të cilat i pushtoi në vitin 1967 dhe i aneksoi në vitin 1981.

“Në çdo marrëveshje paqeje, Golani do të mbetet një pjesë integrale e shtetit të Izraelit. Izraeli ka zbatuar ligjet e tij në Golan për më shumë se 40 vjet”, tha ministri i Jashtëm izraelit.

Në maj, Reuters raportoi se autoritetet e reja që morën pushtetin në Siri ishin në kontakt me Izraelin dhe kishin zhvilluar bisedime të drejtpërdrejta që synonin uljen e tensioneve dhe parandalimin e konflikteve.

Po atë muaj, presidenti i SHBA-së, Donald Trump u takua në Arabinë Saudite me presidentin e përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa dhe i kërkoi atij të normalizonte marrëdhëniet e vendit të tij me Izraelin, ndërsa njoftoi heqjen e sanksioneve të SHBA-së kundër Damaskut.

Nga ana e tij, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu theksoi të enjten se, pas luftës me Iranin, ai beson se ekziston një mundësi “për të zgjeruar marrëveshjet e paqes” që vendi i tij ka lidhur me shtetet në rajon.

“Ne luftuam me vendosmëri kundër Iranit dhe arritëm një fitore të madhe. Kjo fitore hap rrugën për zgjerimin e marrëveshjeve të paqes në një mënyrë mbresëlënëse”, shpjegoi ai.

Në të njëjtën kohë, i dërguari i SHBA-së për Sirinë, Tom Barak tha të dielën se është e nevojshme që Izraeli të nënshkruajë një marrëveshje paqeje me Sirinë dhe Libanin.

Top Channel